RTSH 24 Live

Kosovë

Vrasja e policit në veri të Kosovës/ Kurti: Shteti ligjor do të triumfojë ndaj terroristëve

24/09/2023

Vrasja e policit në veri të Kosovës/ Kurti: Shteti ligjor do të triumfojë ndaj terroristëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti teksa ka ndezur qirinj në stacionin policor të Prishtinës për të nderuar policin e rënë në krye të detyrës, Afrim Bunjaku, ka deklaruar se shteti ligjor do të triumfojë ndaj terroristëve.

Sipas Kurtit, rruga e shtetit ligjor, rruga e kushtetutshmërisë dhe e ballafaqimit me kriminelët e “terroristët është rrugë që duhet të ndiqet nga secili prej nesh dhe të gjithë bashkë deri në ngadhënjimin përfundimtar të shtetit të Kosovës, të Republikës sonë të pavarur

Policia e Kosovës është ajo që ju informon nga të dhënat nga terreni, por ajo që tashmë dihet është se kemi të vrarë edhe pjesëtarë të atij formacioni profesionist, ushtarak a policor të huaj që kreu sulmin terrorist dhe vrau mizorisht Afrimin.

I kemi edhe të plagosur, kemi edhe tre të vrarë, dhe gjithashtu të arrestuar. Besoj që procesi në vijim do të na japë më shume të dhëna, se kush saktësisht janë këta, si hynë në Kosovë dhe kush janë urdhërdhënësit, e dirigjuesit e kësaj përpjekje të dështuar për ta destabilizuar shtetin e Kosovës”, u shpreh kryeministri i Kosovës.

Ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, ndezi qiri krah ambasadorit amerikan në Prishtinë

Nga ana e saj policia thekson më tej se “në orët e vona intensiteti i sulmeve ndaj zyrtarëve policorë ka rënë, por situata e sigurisë ende vazhdon të jetë e tensionuar, përderisa njësitet policore gjatë kontrollit në disa lokacione, objekte banimi dhe në disa automjete që janë përdorur nga grupi terrorist për bllokim të rrugëve, përfshirë automjetet që kanë qenë përreth manastirit në Banjskë, janë gjetur të mbushura përplot me arsenal armësh”.

Gjithashtu, policia ka gjetur dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov.

Policia e Kosovës shton më tej se “nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në bashkë koordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, kanë hyrë në objektet përcjellëse të manastirit të Banjskës, për realizim të detyrave zyrtare”.

Si ndodhi ngjarja e rëndë në veri të Kosovës

Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (24 shtator) në Mitrovicë, në veri të Kosovës, në hyrje të fshatit Banjskë ku persona të armatosur bllokuan rrugën me kamionë dhe më pas qëlluan me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës. Për pasojë, një efektiv humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.

Njësitë e rendit në Zveçan, pas marrjes së informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të vendngjarjes. Sapo kanë mbërritur në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme qëlluar me armë zjarri përfshirë edhe granata dore ku si pasojë e sulmit mbeti i vrarë polici i Kosovës dhe një tjetër u plagos.

Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

/rtsh.al/