Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë me dije në Nënkomisionin e Kuvendit për Diasporën dhe Migracionin, se në datën 11 janar do jetë funksionale platforma elektronike e regjistrimit të votuesve nga jashtë.
Celibashi sqaroi se para 25 dhjetorit do të demonstrohen funksionet e kësaj platforme, ndërsa theksoi se afatet dhe procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë janë në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor.
“Procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë ka shkuar në përputhje me të gjithë parashikimet e Kodit Zgjedhor, përfshirë këtu edhe në kuptim të afateve që ky Kod ka përcaktuar për aspekte të ndryshme të karakterit normativ apo organizativ të votimit nga jashtë”, deklaroi ai.
Celibashi u shpreh se programit të edukimit dhe informimit i është kushtuar një rëndësi themelore, por shtoi se, nuk ka asnjë dyshim se do të cedohet në këtë çështje.
“Sa i përket programit të informimit dhe edukimit, i kemi kushtuar rëndësi themelore çështjes së informimit dhe edukimit të votuesve nga jashtë.
Programi është i dedikuar. E kemi ndërtuar këtë program me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë.
Do kemi ekspertë që do jenë në vazhdimësi pranë KQZ për të pasur një qasje sa më të mirë ndaj votuesve nga jashtë sa i përket aspektit të informimit dhe edukimit të tyre me procesin zgjedhor.
Nuk kam asnjë dyshim që do cedojmë te kjo çështje. Është sfidë dhe jemi të vetëdijshëm, por do ja dalim”, shtoi Celibashi.
Kreu i KQZ vuri theksin te besimi që duhet reflektuar nga palët në proces. Ai shtoi se kjo çështje është tepër sensitive dhe se mund të hedhë në erë gjithë procesin.
“Duhet ta them dhe në cilësinë time personale se në ka një gjë që e kam në vëmendje, është besimi që do duhet të reflektojmë te ta gjitha palët në këtë proces. Kjo është çështje mjaft sensitive se mund të hedhë në erë gjithë procesin. Nëse do ketë ndonjë problematikë kjo problematikë e këtij procesi do afektojë gjithë procesin zgjedhor në Shqipëri dhe kemi gjithë vëmendjen që do duhet për ta bërë këtë proces të sigurt.
Po punojmë ngushtë me partitë politike, përfshi dhe PD. Fakti që gjithë aktet kanë kaluar pa asnjë kontestimi, do të thotë që e kemi pasur në vëmendje”, theksoi Celibashi.
/rtsh.al/