RTSH 24 Live

Rajon

Pas masakrës në Cetinjë, edhe sot tubim në heshtje. Ngushëllon Papa Françesku

05/01/2025

Pas masakrës në Cetinjë, edhe sot tubim në heshtje. Ngushëllon Papa Françesku

Në Mal të Zi është mbajtur një tjetër tubim për nder të 12 qytetarëve të mbetur viktima më 1 janar, mes tyre edhe dy fëmijë.

Masakra ndodhi në qytetin e Cetinjës, aty ku edhe të dielën në orën 17:26 filloi marshimi qytetar i shoqëruar nga një heshtje 12-minutësh, 1 minutë për secilin prej të ndjerëve. Pas 12 minutave, shokët e dy djemve të vrarë ndezën pishtarë të kuq.

Edhe Papa Françesku shprehu ngushëllimet për viktimat.

"Thellësisht i hidhëruar nga lajmi tragjik për vrasjet në qytetin e Cetinjës. Ati i Shenjtë u përcjell ngushëllimet e tij të sinqerta të gjithë atyre që janë prekur nga ky akt dhune i pamëshirë," thuhet në telegramin drejtuar argjipeshkvit të Kishës Katolike, imzot Rrok Gjonlleshajt, nga sekretari i Papa Françeskut, Pietro Paolini.

Autori i dyshuar Aco Martinoviç i kreu vrasjet brenda gjysmë ore në pesë vendndodhje të ndryshme, para se t'i jepte fund edhe jetës së tij. 45-vjeçari e hapi zjarrin e parë me armë në një restorant, ndërsa policisë iu deshën rreth gjashtë orë për ta lokalizuar.

Pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Danilo Saranoviq, dhe të zv.kryeministrit Aleksa Beçiq. Ndër kërkesat e tjera janë edhe çmilitarizimi i shoqërisë, konfiskimi i armëve, ndryshimi i qasjes së policisë ndaj qytetarëve dhe rikthimi i edukimit qytetar si lëndë e detyrueshme në shkolla.

Kryetari i bashkisë së Cetinjës ka kërkuar edhe mbledhjen e parlamentit vendor për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme dhe çfarë dështoi në sektorin e sigurisë.

Më 3 janar, Këshilli malazez i Sigurisë Kombëtare njoftoi shtrëngim të masave për posedimin e armëve.

Pas tubimit në Cetinjë, edhe në Podgoricë u zhvillua një tubim-protestë para godinës së Ministrisë së Brendshme, i kryesuar nga një grup studentor.

/rtsh.al/