Në Bullgari, partitë politikë po i druhen një skenari të përsëritur të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të tetat në gati katër vite, për shkak të mosdakordësive rreth kreut të qeverisë.
Të dielën, partia që fitoi zgjedhjet e fundtetorit, GERB-UDF e drejtuar nga Bojko Borisov, tha se ka ndërprerë bisedimet me partnerët e mundshëm, Bullgarinë Demokratike, për shkak se nuk është pranuar emri i kandidatit të GERB-UDF për kryeministër. Bullgaria Demokratike fillimisht refuzoi emrin e ish-kryeministrit Borisov dhe pas tërheqjes së tij, në fundjavë kundërshtoi edhe nominimin e ish-kryeparlamentarit Rosen Zheljazkov.
GERB-UDF falënderoi partitë që këto ditë u ofruan për bisedime konstruktive, por tha se në këtë fazë nuk ka marrëveshje për një qeveri të përbashkët.
Bullgaria Demokratike ka kërkuar që kreu i qeverisë të jetë një figurë jopartiake dhe e pranuar nga të gjithë.
"Tashmë nuk ka opsion tjetër," tha Manol Genov, drejtues i partisë së majtë BSP-E Majta e Bashkuar, duke iu referuar faktit se vendi mund të shkojë edhe në një raund të ri zgjedhjesh parlamentare.
Presidenti bullgar Roumen Radev pritet të mandatojë partinë GERB-UDF për formimin e qeverisë. Nëse mandati do të refuzohet nga partia më e madhe politike, grupi i dytë kryesor parlamentar, do të marrë stafetën ose nëse dështon sërish, presidenti do tentojë për herë të fundit një grup që do e zgjedhë vetë.
Bullgaria ka realizuar shtatë procese zgjedhore të parakohshme prej prillit 2021. /BTA, SG
/rtsh.al/