RTSH 24 Live

Sociale

Vlorë- Sezoni turistik, Balluku: Kontrolle ndaj strukturave akomoduese për sigurinë e lidhjeve elektrike

29/03/2024

Vlorë- Sezoni turistik, Balluku: Kontrolle ndaj strukturave akomoduese për sigurinë e lidhjeve elektrike

Në Vlorë, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka nisur inspektim në strukturat hoteliere për sigurinë e pajisjeve nën presion dhe certifikimin e sistemit elektrik, aksion që do të vijojë në të gjithë vendin, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të mbarë dhe të sigurt.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në Vlorë, ku së bashku me drejtorin e ISHTI, Sokol Zaimi dhe kryebashkiakun, Ermal Dredha ndoqën nga afër aksionin që po zhvillohet në këtë qytet.

Sipas njoftimit për shtyp, Balluku tha se këto inspektime janë në kuadër të kritereve të sigurisë që duhet të kenë të gjitha strukturat akomoduese në vendin tonë, qoftë sa i takon përdorimit të pajisjeve nën presion, ashtu edhe sistemin elektrik, duke theksuar se përfitues janë edhe vetë subjektet.

“Janë mbi 650 struktura akomoduese, nga Shkodra deri në Ksamil që do të jenë objekt i këtyre kontrolleve”, u shpreh ajo.

Sipas saj, “ky aksion ka në fokus kushtet e sigurisë që vijnë nga pajisjet nën presion, pra për të gjithë përdoruesit e atyre hoteleve që përdorin gazin, por që pothuajse të gjithë e kanë këtë shërbim. Gjithashtu ne kemi në këto momente në fokus tonë inspektimin e lidhjeve elektrike në të gjitha ndërtesat e hotelerisë”.

Balluku nënvizoi se i gjithë procesi, në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor, do të finalizohet deri më datën 1 maj, para nisjes së sezonit turistik duke mos sjellë kështu shqetësime dhe pengesa në operimin e strukturave akomoduese.

“Jemi duke shpejtuar pasi nuk duam t’ju shqetësojmë gjatë sezonit, kështu që grupet e ISHTI-it në bashkëpunim dhe me mbështetjen e bashkive të zonave bregdetare, por dhe atyre malore, pasi kryesisht e kemi vëmendjen tek ato zona të cilat do të jenë pritëse të këtij sezoni fantastik turistik me më shumë se 14 milionë vizitorë, do të jenë në terren dhe do të mundohen që të jenë sa më të shpejt, pa shqetësuar klientët, pasi është një proces që duhet ta kryejmë para 1 majit”, u shpreh Balluku.

/rtsh.al/