RTSH 24 Live

Sociale

Fshati i vogël që pret shumë turistë në Alimetaj, 72-vjeçari e ktheu banesën në fermë agro-turistike

28/04/2024

Fshati i vogël që pret shumë turistë në Alimetaj, 72-vjeçari e ktheu banesën në fermë agro-turistike

Vetëm 500 metra pranë pikë kalimit kufitar të Muriqanit në fshatin Alimetaj është prona e 72-vjeçarit Ahmet Sylejmani, të cilën e ka kthyer në fermë agro-turistike me mbështetjen e një projekti të USAID. Ai tregon se ferma e tij çdo vit e më shumë po vizitohet nga një numër i madh turistësh nga e gjithë bota.

“Ne kemi vetëm gjëra tradicionale të fshatit tonë për sa i përket gastronomisë, nga Amerika, Kanadaj por kam edhe njerëz që kanë ardhur nga Australia. Për më tepër ata kanë qejf të shohin gjëra në bahçe të mbjella që nuk rriten atje”, tha fermeri Ahmet Sylejmani.

Ai ka edhe një apel për pushtetin vendor që të ndërhyjë për ndërtimin e rrugës së fshatit, sepse siç thotë ai vetë shpesh kjo gjë i penalizon turistët të rikthehen.

“Ujin na i kanë sjellë, dritat i kanë rregulluar por edhe rruga është e rëndësishme”, tha  fermeri.

Ahmeti është dëshmi e një historie suksesi pasi zotëron dhjetëra hektarë tokë të mbjella, kryesisht me shege të cilat i eksporton jashtë Shqipërisë. Në fermën e tij është çdo gjë bio.

Gazetare: E. Dyrmishi

/RTSH/