RTSH 24 Live

Aktualitet

Vlorë- Goditet një rast i kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë

11/06/2024

Vlorë- Goditet një rast i kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë

Policia e Vlorës bëri të ditur se ka ushtruar kontrolle intensive nga shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Vlorës, në bashkëpunim me autoritetet doganore në këtë port, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

Nisur nga këto kontrolle, janë sekuestruar shishe me verë dhe paketa me cigare, si dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas, shoferë të autobusit ku u gjetën këto mallra.

“Shërbimet e PKK Port Vlorë dhe autoritetet doganore në këtë port, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imët, autobusin me drejtues shtetasin E. M. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë autobus, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan kuti me shishe me verë dhe paketa me cigare, pa faturë blerjeje. Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin dhe ZMKT referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimin penal për shtetasin E. M., 51 vjeç, si dhe për 2 shoferët e tjerë të këtij autobusi, shtetasit I. D., 63 vjeç, dhe K. Sh., 43 vjeç, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë." Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

/rtsh.al/