RTSH 24 Live

Sociale

Virozat e stinës te fëmijët, rreth 150 vizita në ditë në pediatrinë e spitalit të Shkodrës

4 orë para

Virozat e stinës te fëmijët, rreth 150 vizita në ditë në pediatrinë e spitalit të Shkodrës

Numri i personave me virozën e stinës në Shkodër, është rritur ndjeshëm gjatë kësaj periudhe.

Kryesisht më të prekurit janë fëmijët, ku çdo ditë pranë pediatrisë së spitalit rajonal, marrin shërbim rreth 150 fëmijë.

Ndryshimet e motit, ulja e temperaturave, shoqëruar edhe me reshje shiu kanë ndikuar në shëndetin e fëmijëve.

Rreth 150 fëmijë paraqiten çdo ditë në pavionin e Pediatrisë, në Spitalin Rajonal të Shkodrës, për të marrë ndihmën mjekësore.  

Kollë, temperaturë e lartë apo dhimbje barku janë komplikacionet, që fëmijët kanë paraqitur më së shumti.

Mjeke Pediatre, Valbona Zyberi tha për RTSH-në, se “kryesisht vijnë fëmijë me viroza që janë me prekje të sistemit respirator, me hundë të zëna, me kollë dhe me temperatura të larta. Përgjithësisht këto janë simptomat të shoqëruara dhe me dhimbje barku, me të vjella dhe me lodhje muskujsh.”

Mjekja Valbona Zyberi këshillon prindërit se si duhet të veprojnë kur fëmijët janë të prekur nga virozat.

I tërheqim vëmendje prindërve për arsye se vijnë në spital që ditën e parë të fillimit të virozës. Rekomandojmë qëndrimin për 3 deri në 4 ditë me antipiritik, me paracetamol me Ibuprofen dhe me lëngje. Në rast se temperatura do të vazhdojë mbi 4-5 ditë mjeku duhet ta shikojë atë fëmijë sepse vetë virozat lënë komplikacione. Nuk rekomandohet përdorimi i antibiotiku që ditët e para. Përdorimi i tyre vetëm sa e thellon më tepër situatën”.

Ndërkohë, shërbimi i marrë nga bluzat e bardha vlerësohet nga prindërit.

Kam shtruar djalin këtu prej dy ditësh por shërbimi është super. Ka pasur bllokim por shpresoj që këto 2 apo tre ditë do dali nga spitali fal ndihmës së mjekëve.”-u shpreh një prej prindërve për RTSH-në.

Aktualisht, të shtruar në Pediatri janë rreth 15 fëmijë, tre prej të cilëve janë në reanimacion.

/rtsh.al/