RTSH 24 Live

Sociale

Situata e gripit/ Koçiu me drejtuesit e strukturave shëndetësore: Vaksinimi mënyra më efikase

3 orë para

Situata e gripit/ Koçiu me drejtuesit e strukturave shëndetësore: Vaksinimi mënyra më efikase

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi sot një takim me drejtuesit e strukturave shëndetësore, për të vlerësuar situatën epidemiologjike në vend.

Me anë të një njoftimi në rrjete sociale, ministrja bënë të ditur se gjatë mbledhjes u diskutua për masat që po zbatohen për të përballuar situatën e gripit.

Duke shprehur gatishmërinë e strukturave shëndetësore, Koçiu u shpreh se vaksinimi mbetet mënyra më efikase për të parandaluar komplikacionet nga gripi.

“Nisur nga vlerësimi i situatës epidemiologjike në vend, u mblodhëm sot me drejtuesit e strukturave shëndetësore, ku u përqendruam në raportimin mbi masat që po zbatohen për të përballuar situatën e gripit dhe për të garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Vaksinimi mbetet mënyra më efikase për të parandaluar komplikacionet nga gripi.

Strukturat shëndetësore janë në gatishmëri duke kryer: Monitorimin e situatës aktuale të gripit në vend; Vijimin e vaksinimit falas kundër gripit për grupet e rrezikuara; Ndërgjegjësimin e qytetarëve për ndjekjen e rekomandimeve për minimizimin e transmetimit dhe parandalimin e virozave të stinës;

Përforcimin e survejancës për infeksionet respiratore në mbrojtje të shëndetit publik. Parandalimi fillon me një veprim të thjeshtë: vaksinimin. Kujdesuni për shëndetin tuaj dhe të afërmve tuaj!”, shkruan Koçiu në Facebook

 

/rtsh.al/