Miliona banorë të Kalifornisë vijojnë të përballen me kushte ekstreme, ndërsa dy zjarre të mëdha vazhdojnë të djegin Los Anxhelosin. Deri tani janë regjistruar 25 viktima dhe mijëra shtëpi janë shkatërruar.
Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar kushte të rrezikshme, me erëra të forta, temperatura të larta dhe lagështi të ulët. Më shumë se 77,000 shtëpi janë pa energji për të parandaluar përhapjen e zjarreve. Forcat zjarrfikëse kanë arritur të përparojnë në orët e fundit, falë uljes së forcës së erërave, por sipas parashikimeve situata mund të rëndohet më tej pasi erërat priten të rriten ndjeshëm në orët në vijim.
Sipas autoriteteve zjarret kanë djegur më shumë se 163 km², dhe ata paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi 30 persona ende konsiderohen të zhdukur. Më shumë se 90,000 njerëz janë urdhëruar të largohen nga shtëpitë. Autoritetet kanë kryer rreth 50 arrestime për vepra të ndryshme, përfshirë zjarrvënie të qëllimtë. Zjarret kanë shkaktuar një katastrofë të rëndë, duke shkaktuar shqetësime edhe për aktivitetet në Hollivud, me sezonin e çmimeve që është shtyrë për shkak të situatës emergjente.
/rtsh.al/