Kryeministri polak, Donald Tusk, akuzoi Rusinë se po përgatit akte sabotazhi në nivel global, përfshirë "akte terroriste" kundër linjave ajrore. Ai i bëri këto komente në Varshavë, gjatë një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Tusk tha se, megjithëse nuk mund të jepte detaje, ekziston shqetësimi se Rusia mund të organizojë sulme terroriste kundër linjave ajrore, duke mos i limituar ato vetëm në Poloni, por edhe në shumë vende të tjera. Nga ana tjetër, Kremlini ka mohuar akuzat e mëparshme nga perëndimi që sugjeronin se Rusia ishte e përfshirë në financimin e akteve sabotazhi dhe sulmeve në Evropë.
Zyrtarët perëndimorë të sigurisë kanë tërhequr vëmendjen për disa incidente që dyshohet të jenë të lidhura me rusët, ku pajisje shpërthyese ishin vendosur në aeroplanë që transportonin mallra, duke përfshirë disa raste të flakëve të ndezura vitin e kaluar në Gjermani dhe Britaninë e Madhe, ndërsa avionët po transportonin ngarkesa.
Qeveria polake, e cila ka një qëndrim pro Bashkimit Evropian, argumenton se Rusia po realizon akte të luftës hibride kundër Polonisë dhe shteteve të tjera perëndimore si hakmarrje për mbështetjen që ato po u japin Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus. Po ashtu, Polonia ka akuzuar Rusinë dhe aleatin e saj, Bjellorusinë, për përshkallëzimin e krizës së emigrantëve në kufirin lindor të Bashkimit Evropian me Bjellorusinë, duke krijuar kështu kaos dhe ndarje brenda Evropës.
Në vitin e kaluar, ministri i Jashtëm polak mori vendimin për të mbyllur një nga tre konsullatat ruse në Poloni, si një përgjigje ndaj disa aktesh sabotazhi, përfshirë zjarrvënie të qëllimshme që, sipas tij, ishin urdhëruar nga Moska.
/rtsh.al/