RTSH 24 Live

Aktualitet

Vihet në pranga “krahu i djathtë” i Rrumit, Agron Bejdolli. Në vitin 2022 morën peng vëllezërit Beqiraj

16/04/2024

Vihet në pranga “krahu i djathtë” i Rrumit, Agron Bejdolli. Në vitin 2022 morën peng vëllezërit Beqiraj

I shumëkërkuari Agron Bejdolli, i njohur ndryshe edhe si “krahu i djathtë” i Rrumit të Shijakut, është vendosur në pranga nga policia.

Ai është arrestuar në banesën e tij në qytetin e Durrësit, ndërsa ishte shpallur në kërkim nga policia pasi ishte me masë sigurie “arrest me burg” me akuzat që nisin “për heqje të paligjshme të lirisë/pengmarrje në bashkëpunim” me shtetasin Pëllumb Muharremi/Aleksandër Laho ose siç quhet ndryshe “Rrumi”.

"Si rezultat i kontrolleve të kryera në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, është finalizuar operacioni policor i koduar "Wanted".  

Gjatë operacionit, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi A. B., 33 vjeç, banues në Durrës.     

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi më datë 02.05.2023, Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim.      

Ky shtetas akuzohet se më datë 02.10.2022, në Maminas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, i ka hequr lirinë shtetasit I. B., banues në Durrës. Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme", thuhet në njoftimin e Policisë. 

Ndërkaq, 2 vite më parë, në tetor të 2022-it, vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj u morën peng në autostradën Durrës-Tiranë nga “Rrumi” dhe Agron Bejdolli, pasi siç u zbulua më vonë nga policia, dy vëllezërit kishin marrë porosi për vrasjen e Rrumit.

Gjithashtu, burimet e policisë së Durrësit bëjnë të ditur se Agron Bejdolli është përdorur për shumë vite nga Rrumi duke qenë krahu i tij i djathtë për shumë punë të pista.

Bejdolli po hetohet tashmë edhe për ngjarje të tjera kriminale, ndërsa aktualisht është në fazën e personit të dyshuar.

/rtsh.al/