RTSH 24 Live

Aktualitet

Gramsh- Vranë të miturin, gjykata dënon 4 të rinjtë me 41 vite burg

29/04/2024

Gramsh- Vranë të miturin, gjykata dënon 4 të rinjtë me 41 vite burg

Gjykata e Elbasanit dha të hënën vendimin për një nga çështjet më të ndezura dhe më me debat në Gramsh, ku 4 të rinj vranë një bashkëmoshatarë të tyre.

Ngjarja e cila ndodhi në Gramsh në maj të vitit 2023, tronditi mbarë opinionin publik, por edhe ishte objekt përplasjesh mes familjarëve të viktimës dhe të atyre që dyshoheshin se kish kryer vrasjen.

Në përfundim të hetimit dhe të gjykimit, Gjykata e Elbasanit vendosi që Ergi Karaj të dënohej me 12 vite burg për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese, 10 vite burg për veprën penale plagosje, 10 vite burg për vrasje të mbetur në tentativë dhe 5.5 vite për armë mbajtje.

Në bashkim të dënimeve ai u dënua në total me 27 vite  burg, dhe me gjykim të shkurtuar Gjykata vendosi përfundimisht ta dënoj me 18 vite burg.

Ndërsa Orgito Çarçiu u dënuar për katër vepra penale me 21 vite burg dhe në gjykim të shkurtuar ai do të vuajë 14 vite. Gjykata vendosi që Xhonatan Çekrezi të dënohej për 4 vepra penale me 12 vite burg, me gjykim të shkurtuar ai do të bëjë vetëm 8 vite.

Ndërsa Stiven Murati u dënua nga gjykata me 10 vite burg. Me gjykim të shkurtuar ai do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg.

Krimi që u prodhua nga rrjetet sociale

Të miturit me germat nistore E.K, S.M, O.Ç, XH.Ç u akuzuan se kanë kryer vrasjen në rrethana cilësuese të viktimës Fatjon Bici, dhe kanë tentuar të vrasin edhe shokun e tij me iniciale Q.H, të cilin e lanë të plagosur.

Ngjarja e rëndë ndodhi në maj 2023 rreth orës 13.30 pasi viktima dhe autorët kishin dalë nga mësimi. 16-vjeçari Bici u vra me thikë pas një sherri me 4 bashkëmoshatarët. Ai ka qenë në shkollë atë ditë dhe pasi përfundoi mësimin, pa kushëririn e tij 15-vjeçar M.L., që po konfliktohej me 4 bashkëmoshatarë dhe ndërhyri për ta mbrojtur.

Mirëpo, si pasojë e goditjeve me thikë, humbi jetën Bici, ndërsa kushëriri i tij mbeti i plagosur. 4 të rinjtë, pas arrestimit nga policia ditën e ngjarjes, në prani edhe të psikologut, rrëfyen se sherri me M.L., kishte nisur rreth 2 muaj më parë, mirëpo vijoi edhe më tej në rrjetet sociale.

Në dosjen e prokurorisë, citohen edhe mesazhe të shkëmbyera mes djemve në konflikt në platformën sociale snapchat ku i dërgonin njëri tjetrit thika dhe përforcues grushti e duke thënë se këto mjete do t’i përdornin ndaj njëri-tjetrit.

Autorët e ngjarjes kishin konflikt me kushëririn e tij, të cilit i shkruan pranë shkollës për tu sqaruar dhe u përleshën me të, ndërsa 15-vjeçari humbi jetën pasi u qëllua me thikë teksa hyri për të shuar konfliktin në Lagjen “Sporti 2” në Gramsh.

/rtsh.al/