RTSH 24 Live

Kronika

Video/ Arratisen nga burgu i Trevisos 3 shqiptarë, prenë hekurat e qelisë! 2 prej tyre kapen, në arrati Edison Pula

10/06/2022

Video/ Arratisen nga burgu i Trevisos 3 shqiptarë, prenë hekurat e qelisë! 2 prej tyre kapen, në arrati Edison Pula
Edison Pula dhe momenti i arratisjes

Tre të burgosur shqiptarë janë arratisur nga burgu i Trevisos, rreth orës 5 të mëngjesit të kësaj të premte, pasi kanë prerë hekurat e qelisë dhe më pas kanë zbritur me çarçafë.

Dy prej tyre janë kapur pas ndjekjes nga policia, ndërsa i arratisuri tjetër, 27-vjeçari Edison Pula, ndodhet ende në arrati. Ai ishte arrestuar pas një urdhër-arresti europian, i akuzuar për tentativë vrasje, grabitje, posedim lëndësh plasëse dhe vepra të tjera të trafikut të drogës.

Edison Pula, emër jo pak i njohur edhe për drejtësinë shqiptare, duket se është “mjeshtër” i arratisjeve, pasi në vitin 2017 ai arriti t’i shpëtonte nga duart edhe policëve në Komisariatin e Krujës. Pula mundi të arratisej në momentin që zbriti nga furgoni i policisë dhe po futej në dhomën e izolimit. Ai shtyu policët dhe më pas kapërceu murin rrethues.

Ai ka qenë i dënuar për vrasje e mbetur në tentativë, vendosje eksplozivi dhe vjedhje me dhunë si dhe për atentatin e mbetur në tentativë ndaj mikut të Enver Stafukës, Gentjan Bejtja.

Në Itali, Pula së bashku me dy shqiptarët e tjerë u arrestuan në shkurt të këtij viti, pasi policia zbuloi vendin ku ata fshiheshin, një vilë e pabanuar në fshatin Carbonera.

Sipas mediave, të hënën e ardhshme 27-vjeçari duhej të dilte në gjykatën e Bolzanos në një gjyq që e shihte të akuzuar për rreth pesëdhjetë vjedhje. Ai po hetohej gjithashtu në Belluno dhe Treviso për një mori vjedhjesh të tjera në shtëpi./ Corriere delle Alpi

/rtsh..al/