Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, priti sot në një takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anušić, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë dyditore.
Duke e bërë publik lajmin në rrjetet sociale, ministri Vengu shkruan se “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kroacisë janë të shkëlqyera dhe prodhojnë siguri dhe stabilitet në rajon”.
Së bashku, vijon më tej ai, theksuam nevojën për një vëmendje më të madhe të NATO-s në hapësirën Adriatiko-Joniane dhe rëndësinë e iniciativave të përbashkëta, një prej të cilave është edhe zhvillimi i kapaciteteve të industrisë ushtarake.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anušić, shprehu vlerësimin për rolin e Shqipërisë në rajon dhe ecurinë tejet pozitive të saj në procesin e negociatave për anëtarësim në BE.
Palët ndanë një vlerësim të përbashkët mbi rreziqet dhe kërcënimet, që i kanosen Evropës Juglindore dhe theksuan nevojën për një vëmendje të shtuar të NATO në hapësirën Adriatiko-Joniane, ku Shqipëria dhe Kroacia mund të ndërmarrin iniciativa të përbashkëta.
Në këtë aspekt, dy ministrat konfirmuan gatishmërinë për të ecur së bashku në rrugën e zhvillimit të kapaciteteve dhe të industrisë ushtarake.
Gjithashtu, të martën, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes, do të nënshkruhet deklarata e përbashkët trilaterale midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë do të zhvillojë takime me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryetaren e Parlamentit, Elisa Spiropali.
/rtsh.al/