RTSH 24 Live

Aktualitet

Kinoteatri “Vaçe Zela në Lushnjë, do të transformohet në një qendër arti multifunksionale

4 orë para

Kinoteatri “Vaçe Zela në Lushnjë, do të transformohet në një qendër arti multifunksionale

Rilindja urbane nuk është ndalur për asnjë moment përgjatë këtyre viteve dhe ndonëse transformimet e qyteteve janë mbresëlënëse, ndërhyrjet rikualifikuese vijojnë përmes projekteve të reja,  jo vetëm në rrugë, por edhe në muze dhe objekte monumente kulture.

Kryeministri Edi Rama , gjatë vizitës së tij në Lushnje, së bashku me Zv/kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, kanë inspektuar punimet për rivitalizimin e Qendrës së Artit “Vaçe Zela”.

Puna po ecën shumë mirë në teatrin “Vaçe Zela” me të gjithë rikonstruksionin që po bën Fshzh-ja. Kemi bërë dhe një dakordësi mes bashkisë, Eriseldës dhe FShZH-së për ta kthyer këtë pjesën këtu në muzeale, pasi kemi identifikuar brenda këtij teatri shumë pjesë të vjetra si piano, apo rroba që kanë qenë pjesë e kostumografisë për t’u përdorur. Dhe e kemi lënë që kjo pjesa këtu të jetë pak më e errët dhe të ketë mundësi për ekspozimin e këtyre sendeve që janë të vyera për historikun e teatrit. Kemi një skenë rrotulluese. Është e dyta në Shqipëri pas asaj të Teatrit dhe Operës, dhe është bashkangjitur në ndërtesë edhe teatri i Kukullave që do të jetë gjithashtu dhe në funksion të një qendre kulturore”, shpjegoi Zëvendëskryeministrja Balluku, e cila theksoi ndër të tjera se do të shfrytëzohet çdo sipërfaqe në funksion të krijimit të hapësirave të reja për mësim dhe argëtim.

Do të rivitalizohet gjithë ndërtesa duke i dhënë jetë dhe bodrumeve. Kati përdhe ka qenë magazinë, tani mendojmë ta kthejmë në zonë kulturore për fëmijët dhe të rinjtë me kurse të ndryshme muzikore e artistike. Pjesa jashtë, do jetë e gjitha në formën e një lulishteje. Do pastrohet komplet”, u shpreh Balluku.

Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë për realizimin e projektit dhe këshilloi lidhur me disa elemente artistike plotësuese.

Aktualisht janë duke përfunduar gjithë punimet e infrastrukturës, sistemeve, rrjeteve, ujësjellës-kanalizimeve.

Qendra me funksione komplekse si teatër, kinema, aktivitete sociale kulturore etj, është godinë e ndërtuar që në vitin 1974 dhe projekti i ri, falë një koncepti bashkëkohor të një qendre arti multifunksionale, përfshin ndërtimin e një salle teatri moderne, kinema, një skenë lëvizëse, teatrin e kukullave, hapësirë për ekspozita, kurse arti për të rinjtë, e gjitha një hapësirë ideale për shfaqje të ndryshme teatrore, muzikore dhe artistike.

/rtsh.al/