RTSH 24 Live

Politikë

Vengu pret gjeneral Kavolin: Rivitalizimi i industrisë ushtarake rrit kapacitetet e Shqipërisë në NATO

17/09/2024

Vengu pret gjeneral Kavolin: Rivitalizimi i industrisë ushtarake rrit kapacitetet e Shqipërisë në NATO

Ministri i Mbrotjes Pirro Vengu ka pritur komandantin Suprem të Forcave Aleate në Evropë, njëherazi Komandant i Forcave amerikane në Europë, gjeneral Kristofer Kavoli dhe delegacionin e tij ku kanë diskutuar mbi rolin e NATO-s në rajon dhe rivitalizimin e industrisë ushtarake shqiptare.

Sipas Vengut, gjeneral Kavoli ka përshëndetur masat e marra për rivitalizimin e industrisë ushtarake në Shqipëri, “jo vetëm si një instrument zhvillimi ekonomik, por gjithashtu si një industri që do të përshpejtojë rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë në armatim dhe inovacion brenda planeve të Aleancës”.

Vengu shpjegon më tej se me ushtarakun e lartë amerikan është diskutuar për situatën në rajon, mbështetjen e madhe që NATO vijon të japë në Kosovë dhe rrugëtimin e saj euro-atlantik. Ndërsa ka kërkuar “që të adresohen njëzëri retorikat destabilizuese dhe influencat dizinformuese të aktorëve të tretë në vendet e rajonit”

“Falënderova Gjeneral Cavolin për mbështetjen jetike që Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin çdo ditë në rrafshin e modernizimit të Forcave tona të Armatosura si dhe fuqizimit të kapitalit tonë njerëzor.

Rikonfirmova gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe garantova se vendi ynë do të vijojë të kontribuojë për Ukrainën në këto ditë të vështira për të, si një investim në sigurinë e mbarë kontinentit.

Gjeneral Cavoli përshëndeti masat e marra për rivitalizimin e industrisë ushtarake në Shqipëri, jo vetëm si një instrument zhvillimi ekonomik, por gjithashtu si një industri që do të përshpejtojë rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë në armatim dhe inovacion brenda planeve të Aleancës”, thekson Vengu.

Më tej ministri i Mbrojtjes nënvizon se në këtë takim është diskutuar edhe ecuria e zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës portuale në Porto Romano.

U ndalëm në detaje të rëndësishme të këtij projekti, si pjesë jetësore e infrastrukturës rajonale të Korridorit VIII, një korridor i dobishëm për sigurinë, lëvizshmërinë ushtarake si dhe zinxhirët e furnizimit të rajonit dhe mbarë Aleancës”, nënvizon ministri i Mbrojtjes.

/rtsh.al/