RTSH 24 Live

Politikë

Veliaj tur falenderimi në Njësinë 7: “Fitorja erdhi falë punës së përditshme në skuadër!”

25/05/2023

Veliaj tur falenderimi në Njësinë 7: “Fitorja erdhi falë punës së përditshme në skuadër!”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vijuar turin e falenderimeve për mbështetjen e votuesve në zgjedhjet lokale të 14 Majit, ndërsa u ka bërë një tjetër ftesë këshilltarëve të forcave të tjera politike, që ti bashkohen në këtë mandat Këshillit Bashkiak për të çuar Tiranën përpara.  

“Faleminderit është fjala më e bukur shqipe sepse do të thotë se i falesh nderit të dikujt që pati mirësinë të japë nga koha dhe jeta e tij për këtë fitore" tha zoti Veliaj në një takim në Njësinë 7. 

Ai nënvizoi se fitorja e Partisë Socialiste në Tiranë vjen falë punës së përditshme dhe se kjo fitore tregoi se qytetarët duan që puna të vazhdojë.

"Ne kemi kapiten, kemi Edi Ramën, ne kemi skuadrën e Partisë Socialiste dhe ne kemi një program për Tiranën që ta çojmë vetëm përpara,” tha zoti veliaj. 

Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se tani që fushata ka përfunduar, puna duhet të nisë menjëherë për garën e radhës. "Ne kujtohemi për njerëzit përditë, i vëmë re nevojat e tyre përditë. Kjo është formula fituese për këtë fushatë dhe çdo fushatë tjetër,” tha zoti Velija.

Ai ju drejtoi një tjetër ftesë këshilltarëve të forcave të tjera politike, që ti bashkohen në këtë mandat Këshillit Bashkiak në Tiranë. “Ne kemi një shumicë dërrmuese në Këshill Bashkiak. Nuk kemi nevojë për numra të tjerë. Por, ne kemi dëshirë që edhe të tjerët të na bashkohen. Ne kemi dëshirë që edhe të tjerët të punojnë. Ne kemi dëshirë që edhe të tjerët të çojnë Tiranën përpara. Detyra jonë është t’u themi: hapni sytë, me Saliun do shkoni poshtë e më poshtë” tha Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

/ rtsh.al /