RTSH 24 Live

Televizion

Vdekja e shqiptarit në Gjermani/ Mamaja e Alfred Vishës: Iu prenë ëndrrat në mes, i vetmi në familje që na siguronte të ardhura

21/11/2023

Vdekja e shqiptarit në Gjermani/ Mamaja e Alfred Vishës: Iu prenë ëndrrat në mes, i vetmi në familje që na siguronte të ardhura

Vdekja tragjike e 5 shqiptarëve në Gjermani ishte shumë e rëndë. 33-vjeçari Alfred Visha mbeti fillimisht i plagosur në aksidentin e 30 tetorit. Pasi qëndroi disa ditë në koma, ai ndërroi jetë në një spital në Gjermani.

Për “Jetë Shqiptare” mamaja e Alfredit ka rrëfyer momentin kur mori vesh lajmin e hidhur.

Për vdekjen të gjithë e dinin, nëna dhe nusja nuk e dinte.

Më mori në telefon bashkëshorti im, sepse iku atje, jetonim me shpresë. Thosha: Pse? Më merr në telefon bashkëshorti dhe më thotë mblidh fëmijët e vegjël se na la. Dhimbje më të madhe për mua nuk ka”, deklaroi mamaja e të ndjerit.

Ajo u shpreh se nuk ka marrë asnjë njoftim në rrugë zyrtare për djalin e saj.

Asnjë njoftim. E patën marrë si në provë, ishte punëtor. Kishte shumë ëndrra të cilat ju prenë në mes”, u shpreh ajo.

Mamaja e 33-vjeçarit të ndjerë ka treguar se shpenzimet për sjelljen e trupit dhe pagesën e spitalit ku ka qëndruar Alfred Visha ka qenë një barrë shumë e rëndë për ta, pasi nuk kanë asnjë të ardhur tjetër.

“Asnjë të ardhur tjetër. Nusja e djalit është me 3 fëmijë. Ai shkonte punonte, na shihte e ne prindërit. Shtëpia dhe nusja, nuk kemi punë në fshat, fshati është larg qendrës, larg çdo gjëje”, tha ajo.

Për 3 fëmijët tashmë të mbetur jetim, gjyshja kërkon nga shteti t’u mundësojë transportin për të shkuar në shkollë, pasi e kanë shumë larg.

Për fëmijët e djalit kërkoj nga bashkia, të më venë një makinë në dispozicion sepse fëmijët shkojnë në këmbë 45 minuta. Nga bashkia i japin 14-16 mijë lekë, por nuk i dua, dua transportin jo lekët”, u shpreh mamaja e të ndjerit.

Ajo ka treguar se Visha kishte punuar rreth 3-4 në minierë dhe meraku se djali mund të humbte jetën në minierë, ishte frika e saj më e madhe.

Ai më parë pati punuar në minierë, dhe ne e kishim pak kshu, po e zë miniera. Kur tha do iki në Gjermani, ne kujtonim se atje bëhej jeta lule”, tha ajo.

Familja e tij ka hapur dhe një Go Found Me ku të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë sado pak për familjen e tij.

/rtsh.al/