RTSH 24 Live

Kosovë

Varhelyi: Kosova, e vendosur në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE

25/05/2023

Varhelyi: Kosova, e vendosur në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE

“Kosova është vendosur në rrugëtimin e saj për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian”, kështu ka deklaruar Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi në konferencën e përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani.

Ai shtoi se është me rëndësi që Kosova të vazhdojë me reforma sidomos në fushën e drejtësisë.

“Ne patëm një diskutim shumë të mirë me presidenten Osmani. Kosova është e vendosur në rrugëtimin e saj për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Ne e vlerësojmë që Kosova është rreshtuar me ne kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë. Reformat duhet të jenë të vazhdueshme dhe të zbatueshme, duhet një regjistër i tyre”, deklaroi ai.

Varheley po ashtu tha se mirëpret angazhimin e qeverisë për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit.

“Duhet luftimi i nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kosova është në fazë të hershme sa i përket adresimit të këtyre çështjeve. Kosova është vend strategjik për tërheqjen e bizneseve por për këtë duhet krijuar kushtet e volitshme. Po ashtu dhuna ndaj mediave, kjo duhet të ndalet, mediat duhet t’i mbrojmë”, deklaroi ai.

Komisioneri i BE-së foli edhe për bisedimet Kosovë-Serbi, teksa tha se nga normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë do të përfitonte i gjithë rajoni.

Gjithashtu ai foli edhe për çështjen e investimeve në Kosovë dhe tregun e përbashkët rajonal.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë.

/rtsh.al/