RTSH 24 Live

Sociale

Vaksinimi kundër gripit, Koçiu apel qytetarëve: Është mënyra më e sigurt për të parandaluar format e rënda

10/11/2024

Vaksinimi kundër gripit, Koçiu apel qytetarëve: Është mënyra më e sigurt për të parandaluar format e rënda

Prej muajit tetor vazhdon vaksinimi falas kundër gripit të stinës për grupet e rrezikuara, si personeli shëndetësor, fëmijët, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë dhe të moshuarit.

Me anë të një vidoe të publikuar në rrjetet sociale, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u bëri apel qytetarëve të vaksinohen kundër gripit.

“Vaksinimi është mjeti më i mirë dhe i sigurt për të parandaluar format e rënda të gripit. Forcojeni imunitetin duke u vaksinuar”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale".

Në videon e publikuar nga Koçiu, mjekja e familjes në qendrën shëndetësore nr. 1 në Tiranë tha se “virozat e stinës zgjasin 3-5 ditë. Një mundësi shumë e mirë ndaj këtyre virozëve është vaksinimi me vaksinën ndaj virusit të influencës. Kjo vaksinë ofrohet falas në të gjitha qendrat shëndetësore të shërbimit parësor për të gjitha kategoritë vulnerabël siç janë mosha mbi 65 vjeç dhe të sëmurët kronikë. Sipas vlerësimit të mjekut pediatër kjo vaksinë mund të aplikohet edhe tek fëmijët”.

“Një vëmendje e veçantë në këtë periudhë i kushtohet pacientëve, të cilët janë të sëmurë kronikë, në mënyrë që ato ti kalojnë sa më lehtë këto viroza dhe pa komplikacione”, tha Koçiu.

Instituti i Shëndetit Publik ka shpërndarë në mbarë vendin 280 mijë doza vaksine për të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe kategoritë e tjera të riskut.

Këtë vit Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar 20 mijë doza më shumë se një vit më parë dhe do të vijojë të kryhet për grupet e riskut sipas një kalendari të përcaktuar nga strukturat e shëndetësisë.

Doza e vaksinës është mënyra më e mirë për parandalimin e formave të rënda të gripit, dhe ndihmon për një jetë më të shëndetshme gjatë stinës së dimrit.

Në grupin e personave të rrezikuar bëjnë pjesë individët e moshës së tretë mbi 60 vjeç, Fëmijët nga 6 muajsh deri në 12 vjeç, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kardiovaskulare, personat me sëmundje pulmonare apo astma bronkiale, diabetikët, personat me sëmundje kronike të mëlçisë ose veshkave, të sëmurët me tumor/kancer, personat obezë, personat me imunitet të dobët, etj.

 

 

/rtsh.al/