RTSH 24 Live

Sociale

Vaksina kundër gripit, Daja: Në fokus kemi grupet e riskut, fushatën me farmacistët

14 orë para

Vaksina kundër gripit, Daja: Në fokus kemi grupet e riskut, fushatën me farmacistët

Me nisjen e sezonit vjeshtë-dimër ka nisur edhe fushata e vaksinimit kundër gripit, një vaksinë që mbron jetën e kontingjenteve që kanë një faktorë të lartë riskut për t’u prekur nga gripi.

Në një intervistë për RTSH 24, mjekja Rovena Daja, e cila është edhe përgjegjëse për programin e vaksinimit kundër gripit, u shpreh se fushata e ndërgjegjësimit më të madh bëhet te moshat mbi 65 vjeç që kanë probleme kardiovaskulare, diabet, probleme me imunitetin, por edhe grupet e riskut si personel mjekësor, farmacistët, por edhe mësuesit dhe policët, për shkak të kontaktit që kanë me njerëzit.

“Ne i mëshojmë më shumë grupeve të riskut, por çdo person duhet të vaksinohet kundër gripit. Kjo vaksinë ofrohet falas në çdo qendër shëndetësore, ne themi që mund ta aplikojnë të gjithë dhe asnjë person nuk kthehet mbrapsht, por më shumë mëshojmë te grupit e riskut që janë personeli mjekësor që janë në kontakt me pacientët. Më pas janë farmacistët pasi dhe ato janë në kontakt me njerëz gjithë ditën dhe transmetojnë virusin, më pas janë pacientët me sëmundje kardiovaskulare, diabet, obezët, kanë probleme me diabetin, kanë probleme me imunitetin etj. Ne u kemi rekomanduar edhe mësuesve dhe policëve pasi edhe ato janë në kontakt me njerëz gjatë ditës”, tha Daja.

Për këdo që dëshiron të bëjë vaksinën kundër gripit, mjekja Daja u shpreh se mund të paraqitet vetë në qendrat shëndetësore, ose mund të rezervojë orarin dhe qendrën shëndetësore ku dëshiron ta bëjë në e-Albania.

“Qeveria ka investuar në një kalendar elektronik vaksinimi ku janë hedhur vaksinat e fëmijëve nga 0-7 vjeç dhe aktualisht po hidhen fëmijët nga 7-18 vjeç dhe prindërit e merr kalendarin e fëmijës në e-Albania dhe ky sistem na vijnë në ndihmë edhe për vaksinë kundër gripit, ku futesh në e-Albania de përcakton qendrën ku do ta bësh dhe cakton qendrën ku do të shkosh vetë dhe përcakton edhe orarin. Të vjen një konfirmim nga vaksinatorja dhe ka pasur aplikime, por pjesa më e madhe shkojnë vetë në qendrat shëndetësore. Vaksina kundër gripit krijon antitrupa që zgjasin deri në 6 muaj dhe më pas duhet të kryesh vaksinën tjetër”, u shpreh mjekja.

Sipas mjekes në Shqipëri ka një mbulesë të mirë të vaksinimit në përgjithësi, ndërsa shtoi se fushata e ndërgjegjësimit këtë vit është fokusuar te farmacistët, të cilët kanë një kontakt edhe më të gjerë me pacientët dhe t’i rekomandojnë që të bëjnë vaksinën kundër gripit.

“Janë një pjesë e kontingjentit mbi 65-vjeç dhe me sëmundje kronike, ata janë të parët që e marrin vesh dhe janë të ndërgjegjësuar, është pjesa e personelit më pas dhe promocioni qëndron më tepër te pjesa tjetër që janë dyshues në këtë pjesë. Sivjet jemi përkushtuar te farmacistët pasi vërë re që prindërit tanë shkojnë në farmaci dhe nuk shkojnë fare në qendrat shëndetësore. Farmacistet i kemi implikuar në ndërgjegjësim për vaksinën kundër gripit”, tha mjekja.

Vaksinimi ndaj gripit mund të ndihmojë në mbrojtjen e individëve të cilët janë në një risk më të lartë për t’u sëmurur rëndë nga gripi si; të moshuarit, gratë shtatzëna, individët me sëmundje kronike, fëmijët dhe sidomos foshnjat deri në 6 muaj, të cilët janë shumë të vegjël për t’u vaksinuar. Kjo vaksinë redukton rrezikun për gjendjet e rënda shëndetësore që lidhen me gripin që nga shtrimet në spital deri te vdekjet.

/rtsh.al/