RTSH 24 Live

Botë

Urdhërarrest për presidentin e Koresë së Jugut pasi shpalli ligjin e luftës

31/12/2024

Urdhërarrest për presidentin e Koresë së Jugut pasi shpalli ligjin e luftës

Një gjykatë në Seul lëshoi këtë të martë një urdhër për arrestimin e presidentit Jun Suk Jol dhe një urdhër për bastisjen e zyrës presidenciale dhe rezidencës së tij në kryeqytetin koreanojugor.

Vendimi u bë publik nga Zyra për Hetimin e Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë, e cila ka nisur hetimet bashkë me policinë dhe autoritetet ushtarake nëse shpallja e ligjit ushtarak nga presidenti Jun më 3 dhjetor përbën kryengritje.

Kjo është hera e parë që lëshohet fletarresti për një president në detyrë në Korenë e Jugut.

Megjithatë, ekspertët thonë se ka pak gjasa për arrestimin e tij, nëse Jun nuk shkarkohet fillimisht nga detyra, një vendim që duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e këtij vendi.

Avokati i Presidentit të Koresë së Jugut tha të martën se urdhërarresti i lëshuar për Junin ishte i paligjshëm dhe i pavlefshëm, duke shtuar se organit që po heton liderin e pezulluar nga detyra të Koresë së Jugut i mungon autoriteti hetimor.

"Urdhërarresti, urdhri i kontrollit dhe i sekuestrimit të lëshuar me kërkesë të një agjencie pa autoritet hetimor janë të paligjshme dhe të pavlefshme," tha ai për agjencinë e lajmeve AFP.

Sipas ligjit koreanojugor, drejtuesi i një kryengritjeje mund të përballet me dënim me vdekje apo me burgim të përjetshëm, nëse shpallet fajtor.

Kryengritja është njëra prej akuzave ndaj të cilave presidenti koreanojugor nuk ka imunitet.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/