RTSH 24 Live

Sociale

Ura e Mesit, e preferuar edhe në dimër – restaurimi e bën më tërheqëse për vizitorët

5 orë para

Ura e Mesit, e preferuar edhe në dimër – restaurimi e bën më tërheqëse për vizitorët

Ura e Mesit është një pjesë e rëndësishme guidave të ndryshme turistike dhe ndër më të vizitueshmet nga turistët në Shkodër.

E ndodhur 8 km larg Shkodrës mbi lumin Kir, ura iu nënshtrua rehabilitimit pak kohë më parë me një investim nga qeveria shqiptare dhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Investimi u krye kryesisht në pjesën hyrëse, si dhe u krye sistemimi me kanale të shkarkimit të ujërave të shiut, por edhe kapuçimin e të gjithë parapetit të urës në të dy krahët e saj.

Kjo ndërhyrje ia ka rritur vlerën këtij monumenti kulture dhe pritet ta kthejë në një nga atraksionet kryesore për turistët gjatë vitit.

Restaurimi i këtij monumenti e bën një atraksion më tërheqës për vizitorët.

Pjesë e projektit ishte edhe ndriçimi i Urës së Mesit.

Gjithashtu ndërhyrje është bërë edhe në pjesën shkëmbore në të dyja bazamentet e harkut të madh të Urës së Mesit.

Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, kjo urë është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë.

Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe jo simetrikë, për ndërtimin e Urës së Mesit, janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri.

Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër

Ndërsa restaurimi i këtij monumenti do të sigurojë ruajtjen e historisë dhe kulturës për brezat e ardhshëm.

Gazetar, RTSH Shkodër, LUAN KADIJA   

 

/rtsh.al/