Eksportet e gazit natyror rus përmes tubacioneve që kalonin nëpër Ukrainë dhe i shërbenin Evropës u ndërprenë menjëherë pas natës së Vitit të Ri, pasi marrëveshja e tranzitit skadoi dhe Moska e Kievi dështuan të arrijnë një marrëveshje të re.
Kjo përmbyll një periudhë tensioni mes dy shteteve që nisi pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, ndërsa Ukraina tashmë kishte ndërprerë blerjen e gazit rus vitin e kaluar.
Ministri i Energjisë i Ukrainës, German Galushchenko, e quajti këtë një "ngjarje historike", duke theksuar humbjet financiare për Rusinë, ndërsa shtoi se Evropa tashmë po kërkonte alternativa për të shmangur varësinë nga gazi rus.
Ukraina e ndaloi transportin e gazit për arsye sigurie kombëtare dhe pranoi se do të humbiste deri në 800 milionë dollarë në vit nga tarifat e tranzitit, por ndërkohë sic tha Kievi, gjigandi rus Gazprom do të humbte rreth 5 miliardë dollarë.
Megjithatë, Rusia vazhdon të eksportojë gaz përmes TurkStream, tubacionit që kalon përmes Detit të Zi dhe furnizon disa shtete të Evropës Qendrore.
Bashkimi Evropian ka intensifikuar përpjekjet për të gjetur burime alternative energjie pas fillimit të luftës. Shtetet si Sllovakia dhe Austria tashmë kanë siguruar furnizime të tjera.
Moldavia, që ndikohet më shumë nga ky ndalim, ka paralajmëruar nevojën për të ulur përdorimin e gazit me një të tretën. Shumë vende evropiane u janë kthyer burimeve alternative, duke përfshirë blerjen e gazit të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Norvegjia.
/rtsh.al/