RTSH 24 Live

Botë

Moska: Do hakmerremi për sulmet e Ukrainës me raketa të prodhuara nga SHBA

04/01/2025

Moska: Do hakmerremi për sulmet e Ukrainës me raketa të prodhuara nga SHBA

Moska ka kërcënuar se do të hakmerret për sulmet e Ukrainës me raketat e prodhuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Teksa ka pretenduar se ka rrëzuar tetë raketa të prodhuara nga SHBA të lëshuara nga Ukraina drejt rajonit jugperëndimor të Belgorodit të Rusisë, Moska ka bërë të ditur se veprimet luftarake të Kievit do të përballen me hakmarrjen e Rusisë.  

Këto veprime nga regjimi i Kievit, i cili mbështetet nga perëndimorë, do të përballen me hakmarrje”, tha ministria ruse e mbrojtjes në një deklaratë të shtunën në Telegram, pa specifikuar se çfarë kundërmasash synonte të merrte. Ukraina nuk ka komentuar mbi sulmin.

Kremlini e sheh përdorimin e këtyre raketave me rreze të gjatë ATACMS – të cilat i furnizohen Kievit nga Shtetet e Bashkuara dhe mund të arrijnë objektiva deri në 300 kilometra larg – për të kryer sulme thellë brenda territorit rus, si një përshkallëzim të rëndësishëm në luftë.

Që kur presidenti i SHBA Joe Biden autorizoi Ukrainën të godiste Rusinë me këto raketa në nëntor, forcat ukrainase i kanë përdorur ato për të goditur objektiva të largëta në tokën ruse në shumë raste.

Kremlini i është përgjigjur sulmeve të ngjashme në të kaluarën duke gjuajtur një raketë eksperimentale hipersonike me rreze të mesme, me nofkën "Oreshnik", e cila pretendon se nuk mund të kapet nga sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore.

Presidenti rus Vladimir Putin në dhjetor u zotua të përshpejtojë zhvillimin e raketave Oreshnik, të cilat Rusia nuk i prodhon ende në shkallë industriale.

/rtsh.al/