RTSH 24 Live

Botë

Biden ndalon shpimet për naftë në det në pjesën më të madhe të SHBA-së

06/01/2025

Biden ndalon shpimet për naftë në det në pjesën më të madhe të SHBA-së

Presidenti i SHBA, Joe Biden, ka shpallur një ndalim të ri për shpimin e naftës dhe gazit në det të hapur përgjatë pjesës më të madhe të vijës bregdetare të Amerikës. Ky vendim përfshin të gjithë bregdetin e Atlantikut, Gjirin e Meksikës, si dhe bregdetin e Paqësorit në Kaliforni, Oregon dhe Uashington, duke përfshirë gjithashtu një pjesë të Detit Bering në Alaskë.

Ky është një nga veprimet e fundit të administratës Biden përpara kalimit të pushtetit tek ish-presidenti Donald Trump, i cili ka premtuar të rishikojë politikën klimatike dhe të heqë ndalesat mbi prodhimin e energjisë fosile.

Në një deklaratë, Biden shpjegoi se ky vendim është marrë për të mbrojtur mjedisin dhe për të shmangur dëmet të mundshme në brigjet dhe ekosistemet bregdetare, duke theksuar se shpimi në këto zona mund të shkaktojë "dëme të pakthyeshme" dhe është "e panevojshme" për sigurimin e energjisë për SHBA.

"Vendimi im pasqyron atë që komunitetet bregdetare, bizneset dhe plazhistët e kanë njohur për një kohë të gjatë: se shpimi në këto brigje mund të shkaktojë dëme të pakthyeshme në vendet që ne i duam dhe është e panevojshme për të përmbushur nevojat e kombit tonë për energji. Nuk ia vlen rreziku”, tha Biden.

Kjo masë pason një serë politikash të ngjashme që synojnë reduktimin e ndikimit të industrisë së karburanteve fosile në klimë, ndërsa administrata Trump ka shprehur angazhimin për të rritur prodhimin e brendshëm të energjisë dhe ulur kostot e gazit për qytetarët amerikanë.

/rtsh.al/