Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike me rreze të mesme veprimi drejt detit në lindje të saj, në një kohë që Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po zhvillon një vizitë në Seul.
Raketa e lëshuar nga Koreja e Veriut fluturoi 1,100 km para se të binte në det, ndërsa ushtria e Koresë së Jugut ka dënuar aktin, duke e konsideruar si një provokim.
Ushtria e Koresë së Jugut ka deklaruar se ka forcuar mbikëqyrjen për lëshimet e ardhshme të raketave të Veriut dhe po "ndan nga afër informacionin" për lëshimin e sotëm me SHBA-në dhe Japoninë.
Ndërkaq, raketa e lëshuar këtë të hënë (6 janar) nga Koreja e Veriut vjen në mes të kaosit politik në Korenë e Jugut, i cili ka përfshirë vendin për javë të tëra pas përpjekjes afatshkurtër të presidentit Yoon Suk Yeol për ligjin ushtarak të pezulluar në dhjetor.
Hera e fundit që Pheniani gjuajti raketa ishte në nëntor, një ditë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, kur lëshoi të paktën shtatë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në brigjet e saj lindore.
Raketa me rreze të mesme veprimi, vjen në një moment, kur Sekretari i Shtetit i SHBA po zhvillon bisedime me disa nga udhëheqësit kryesorë të Koresë së Jugut.
Më herët, Blinken u takua me presidentin në detyrë Choi Sang-mok, ku ai e përshkroi aleancën midis Uashingtonit dhe Seulit si "gur themeli i paqes dhe stabilitetit në gadishullin Korean".
/rtsh.al/