RTSH 24 Live

Aktualitet

U gjet i pajetë dy ditë më parë - I moshuri ishte dhunuar, ka shenja goditjeje me sende të forta

3 orë para

U gjet i pajetë dy ditë më parë - I moshuri ishte dhunuar, ka shenja goditjeje me sende të forta

Zall Bastari u trondit dy ditë më parë, pasi një i moshuar u gjet i pajetë pak metra larg banesës.

Ndonëse fillimisht u mendua se 81-vjeçari Xhelal Meta ishte rrëzuar e për pasojë kishte marrë plagë, të cilat i shkaktuan humbjen e jetës, ekspertiza mjeko-ligjore ishte ajo që përcaktoi se shkak i vdekjes ishte goditja prapa kokës me mjete të forta.

Efektivëve blu dhe grupit hetimor iu deshën dy ditë kohë, që në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore të këqyrnin trupin e pajetë dhe pas ekspertizës të dilnin në përfundimin se 81-vjeçari është dhunuar me sende të forta, dhunë nga e cila ka gjetur vdekjen.

Ngjarja u regjistrua pak metra larg shtëpisë së tij por ende nuk është faktuar nëse i moshuari është dhunuar në ndonjë mjedis tjetër e më pas është hedhur në afërsi të këtij stoli, apo gjithçka ka ndodhur pikërisht në këtë vend.

Këtë të mërkurë blutë e kryeqytetit u rikthyen në vendin e krimit, ndërsa kanë kontrolluar edhe mjediset e banesës ku jetonte i moshuari, te e cila nuk ka asnjë shenjë konfliktimi apo grabitjeje.

Nga ana tjetër, efektivët blu kanë ripyetur banorët e fshatit Shëngjin i Vogël, aty ku i moshuari jetonte vetëm.

Familjarët në deklarimet e para kanë thënë, se i moshuari nuk kishte konflikte me njeri dhe se nuk dyshojnë te banorët e fshatit, pasi me ta kanë edhe lidhje gjaku.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/