RTSH 24 Live

Aktualitet

U arratis me 2 mld USD nga Turqia, Policia: Arrestohet i shumëkërkuari, shoqëruam dhe 2 persona! Dalin pamjet nga arrestimi i 28-vjeçarit

30/08/2022

U arratis me 2 mld USD nga Turqia, Policia: Arrestohet i shumëkërkuari, shoqëruam dhe 2 persona! Dalin pamjet nga arrestimi i 28-vjeçarit

Policia e Shtetit ka dhënë informacion lidhur me arrestimin e të shumëkërkuarit turk, 28-vjeçarit Faruk Ozer i akuzuar nga Turqia për mashtrime me llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex. Policia bën me dije se në bashkëpunim me FAST Albania dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë bërë të mundur kapjen e 28-vjeçarit të kërkuar nga drejtësia turke për mashtrim me vlerë miliona dollarë me monedhat virtuale. Policia ka shoqëruar dhe dy persona të tjerë, 36-vjeçarin B.Sh dhe 37-vjeçarin E.H., për të sqaruar lidhjen me Faruk Ozer.

Vijojnë operacionet për kapjen e personave shumë të kërkuar ndërkombëtarisht. Finalizohet operacioni policor i koduar “Brain”. Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me FAST Albania dhe DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Kapet në Himarë, i shumëkërkuari,  28-vjeçari nga Turqia, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale  “Krijimi i organizatës kriminale” dhe "Mashtrimi me pasoja të rënda”. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pas shumë kërkimesh në disa qarqe të vendit, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi shumë të kërkuar nga drejtësia turke, si dhe falë përdorimit të metodave proaktive nga DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Brain”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit turk F. O., 28 vjeç. Ky shtetas u kap në Himarë, si rezultat i operacionit policor të koduar “Brain”, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara.  Gjykata e Lartë e Stambollit ka lëshuar urdhër arresti në vitin 2021, ndaj 28-vjeçarit, per veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe "Mashtrimi me pasoja të rënda”.

Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin e shumëkërkuar, u shoqëruan dhe 2 shtetas te tjerë, B. Sh., 36 vjeç, banues ne Tiranë dhe E. H., 37 vjeç, banues ne Durrës, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme, për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash etj. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.

28-vjeçari turk, Faruk Ozer, akuzohet se u arratis nga Turqia me 2 mld dollarë, të përfituara duke mashtruar dhjetëra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në platformën turke të shkëmbimit të kriptomonedhave “Thodex”, e cila shpalli falimentin.  Ozer u kap në jug të vendit, ku kishte shkuar me pushime, ndërsa jetonte në një banesë të marrë me qira në Elbasan.

Ai u arratis nga Turqia në 20 prill 2021 dhe u strehua në Shqipëri, ndërsa autoritetet turke nisën hetimet pas një raporti nga përdoruesit se nuk mund të hynin në llogaritë e tyre të kriptomonedhave në “Thodex”.

Ozer e themeloi kompaninë në vitin 2017 dhe lejonte përdoruesit të blejnë dhe të shesin kriptovaluta të Bitcoin. Në “Thodex” ishin gjithsej 400 mijë llogari dhe 391 mijë investitorë aktivë, ndërsa kompania i ndaloi operacionet më 19 prill.  Mashtrimi "Thodex" besohet të jetë mashtrimi më i madh në historinë turke.

/rtsh.al/