RTSH 24 Live

Botë

Turqi/ Sulm kamikaz pranë Parlamentit para nisjes së sesionit të ri, dy të vdekur

01/10/2023

Turqi/ Sulm kamikaz pranë Parlamentit para nisjes së sesionit të ri, dy të vdekur

Një shpërthim i fortë është dëgjuar mëngjesin e së dielës në Ankara para Ministrisë së Brendshme turke, ndërsa parlamenti po bëhej gati të fillonte mbledhjet për sesionin e ri pas pushimit veror.

Ministria e Brendshme e Turqisë njoftoi për një “sulm terrorist”, duke sqaruar se personi që u vetëflijua shpërtheu brenda automjetit dhe plagosi dy policë.

Pas shpërthimit u dëgjuan edhe të shtëna armësh.

Konkretisht, ministri i Brendshëm, Ali Gerlikaja (o. Gerlikaya), me një deklaratë në rrjetet sociale tha: “Rreth orës 09:30 ka ndodhur një sulm me bombë nga dy terroristë të cilët kanë ardhur me një automjet para portës hyrëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë dhe Ministrisë së Brendshme. Njëri nga terroristët hodhi veten në erë dhe terroristi tjetër u neutralizua. Dy policë janë plagosur gjatë zjarrit. I uroj heronjve tanë shërim të shpejtë. Lufta do të vazhdojë pa pushim derisa terroristi i fundit të neutralizohet.

Raportohet se siguria është rritur përreth godinës së parlamentit dhe asaj të Ministrisë së Brendshme, të cilat janë ngjitur me njëra-tjetrën.

Të gjithë parlamentarët, edhe presidenti Rexhep Tajip Erdoan priten të jenë në parlament rreth mesditës.

Sulmi vjen ndërsa autoritetet turke po ndërmarrin operacione anëtarëve të grupit terrorist ISIS.

Shqipëria dënon sulmin në Turqi

Presidenti Bajram Begaj ka shprehur solidaritet me popullin dhe qeverinë turke për dënimin me forcë të aktit terrorist në Ankara.

Ndaj shqetësimin e madh për aktin terrorist të ndodhur në rrethinat e Parlamentit turk në Ankara ditën e sotme, kur për pasojë pati disa të plagosur nga radhët e forcave të policisë turke.

Shpreh solidaritetin tim të palëkundur me popullin dhe qeverinë turke për dënimin me forcë të akteve terroriste të të gjitha formave, të cilat sjellin shqetësim dhe kaos për rendin dhe qetësinë qytetare e më gjerë," njoftoi president Begaj.

Edhe kryeministri Edi Rama e dënoi ngjarjen e së dielës në Ankara.

"Sulmi terrorist në Stamboll është një akt i shëmtuar burracakërie, të cilin Shqipëria e dënon me forcë. Kjo duhet të bëjë shumë në Evropë të kuptojnë më mirë dhe të përkrahin Turqinë në luftën e saj kundër terrorizmit," u shpreh kryeministri Rama në platformën "X".

Ministria e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi në të njëjtën linjë.

"Shqipëria dënon me forcë sulmin terrorist në Ankara. Ne mbetemi në solidaritet të plotë me Turqinë dhe kundërshtojmë çdo formë dhune terroriste.

Në mendojmë për të plagosurit dhe u urojmë atyre shërim të shpejtë," njoftoi diplomacia shqiptare.

/rtsh.al/