RTSH 24 Live

Sociale

Turizmi shëndetësor sfidon pandeminë

20/02/2021

Turizmi shëndetësor sfidon pandeminë

 

Turizmi shëndetësor; ai dentar apo estetik për fat të mirë nuk ka rënë në greminë nga pandemia si sektorë të tjerë të turizmit. Në fakt është i vetmi lloj turizmi që nuk është ndërprerë, pasi udhëtimet për shkaqe shëndetësore janë të parat që lejohen. Klinikat dentare që i përkushtohen turizmit dentar në Tiranë janë këtë periudhë plot me pacientë sidomos nga vende të kapluara nga pandemia si Italia, Zvicra, Gjermania, Franca. Edhe pse në kushte pandemie në stinën e verës klinikat raportojnë rritje  40-60 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Tani në muajt e dimrit rënie të lehta me 10% apo aty-aty krahasuar fiks me një vit më parë kur nisi pandemia. 
Ekosistemi i krijuar përfshin që nga pritja në aeroport, më pas shoqërimi në klinikë, duke respektuar të gjitha masat e sigurisë, teknologjia e lartë dentare, laboratorike, edhe klinikë për ndërhyrje estetike, akomodimi në hotele, shërbimi në bar, restorant, të vendosura këto në mënyrë unike pranë e pranë në një rrugë të vetme, duke mbyllur të gjitha shërbimet në një ofertë, e duke arritur të tilla standarde të lakmueshme dhe sfiduese ndaj vendeve të rajonit, por edhe në nivel europian dhe botëror. Këtyre i shtohen edhe udhëtimet turistike me udhërrëfyes, apo çmimet gjysmë për gjysmë për një cilësi superiore, apo edhe mikpritjen që të bësh të ndihesh si në shtëpi dhe një turist dentar në Shqipëri ekzalton nga kënaqësia. 
"Nuk ndryshon asgjë mes Shqipërisë dhe Italisë për nga masat e kontrollet e pandemisë. Kam gjetur shumë profesionalitet, seriozitet, pastërti, struktura akomoduese që nuk i prisja, dhoma të mëdha, nuk mungon gjë. Nuk mbetesh vetëm në një dhomë, bën dhe pushime sepse në fundjavë guidat turistike na shoqërojnë në udhëtime. Stafi na qëndron pranë për gjithcka kemi nevojë, cmimet të pakrahasueshme, 50% më pak se në Itali. Një gjë të tillë nuk e kam parë në Itali dhe do t'ua këshilloj" thotë një turist nga Italia. 
"S'ka të sharë. Edhe si mikpritje, edhe si strukturë organizimi. Më duket sikur jam në Zvicrën ku jetoj. Jam i lumtur për gjithë shërbimet që po më behen këtu. Ndihem në duar të sigurta" thotë një zviceran. 
"Vij nga Austria. Jam italian por jetoj atje. Nuk pata frikë nga pandemia sepse e di që klinika është avan - garde për cdo gjë. Nuk është hera e parë që vij. Nuk ka as në  Austri, as në Gjermani, as në Itali një organizim, një kryevepër si kjo këtu" thotë një austriak.
"Jam këtu pasi kërkova në internet. Kam ardhur nga Parisi sepse në Francë më propozonin dhëmbë metal-qeramikë. Me të njëjtat para këtu mund t'i bëj me zirkon. Me  60% më pak para se në Francë. Jam shumë i kënaqur edhe nga pastërtia, shërbimi" thotë për RTSH një francez. 
"Shqipëria është një vend i bukur, më pëlqen shumë. Njerëzit mikpritës, që na përkëdhelin shumë, ndihemi si në shtëpi jo si kur jemi jashtë. Nuk do vinim shpesh nëse nuk do të ndiheshim mirë. E para erdhi vajza jonë në 2019 për të kujdesuar dhëmbët. Tani dhe ne dhe po mendojmë të blejmë një shtëpi në Tiranë" shprehet një tjetër turist i huaj. 
Për njzviceran çmimet janë të lira. "Mora një certifikatë shëndetësore që s'kam Cobvid dhe erdha. Për këto punë që më kanë bërë këtu, kam paguar 18 mijë euro, ndërsa në Zvicer do paguaja mbi 80 mijë franga. Dhe cilësia këtu ekselente, top" thotë ai. 
"Vij nga Zvicra. Dëgjova fjalë shumë të mira për nivelin e klinikave shëndetësore në Shqipëri dhe erdha. Kam ardhur për anën estetike të gojës, por njëkohësisht këtu edhe mund të bëj një masazh qetësues" thotë një bashkëkombas i tij. 
Dhe habia më e madhe është sidomos për italianët që janë edhe turistët kryesorë, kur ata zbulojnë edhe kuzhinë italiane, të bërë mirë e bukur apo dhe kamarierë e njerëz ngado që flasin italisht si askund tjetër në botë...
"Si në Itali. Kam provuar të ha gjëra aq të mira, s'ka asnjë ndryshim me Italinë. Isha i shqetësuar për ushqimin. Por kot. Edhe pica e shkëlqyer!". 
"Shumë mirë. Shumë të kënaqur. Çdo gjë është e mirë. Një surprizë e bukur. Nuk e prisnim këtë standard. 
"Na duket sikur jemi në Itali. Të gjithë edhe flasin italisht!".
"Shqipëria është në nivele shumë të larta edhe të kuzhinës ndërkombëtare dhe shqiptare..."