RTSH 24 Live

Kosovë

Trupi i Faton Hajrizit në Serbi, familjarët angazhojnë avokat për tërheqjen në Kosovë

23/07/2024

Trupi i Faton Hajrizit në Serbi, familjarët angazhojnë avokat për tërheqjen në Kosovë

Autoritetet serbe ende nuk e kanë bërë të ditur kohën dhe mënyrën se si do të mund të sillet në Kosovë trupi i pajetë i Faton Hajrizit, shtetasit kosovar të vrarë nga autoritetet serbe më 19 korrik.

Për këtë arsye familja Hajrizi ka autorizuar një avokat nga Kosova për t’u angazhuar në procedurat e tërheqjes së trupit nga Serbia.

Autorizimi i avokatit nga familjarët vjen paçka se Serbia dhe Kosova kanë arritur Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Një ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës bëri të ditur se kishin konfirmuar identitetin e Hajrizit nga shenjat e gishtërinjve të dërguara nga autoritetet serbe përmes Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor (ILECU) në kuadër të Misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë.

Ndërkohë të mërkurën pas kërkesave të shumta nga qytetarët e Kosovës që Hajrizi të shpallet hero, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha një person që ka pasur vepra të rënda në Kosovë nuk mund të nderohet me atë titull.

Hajrizi, që ishte arratisur nga një burg në Kosovë më 6 korrik, u bë i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Kërkimi disa orësh i policisë së Serbisë për Faton Hajrizit rezultoi në kapjen dhe vrasjen e tij.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/