RTSH 24 Live

Botë

Trump ndalon informacionet sekrete për Biden për arsye pabesueshmërie

08/02/2025

Trump ndalon informacionet sekrete për Biden për arsye pabesueshmërie

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se i ka pezulluar qasjen në informacionet sekrete të inteligjencës paraardhësit të tij, Joe Biden.

Sipas Trump, Biden nuk mund t'i besohen më informacionet e ndjeshme, duke iu referuar hetimit të Ministrisë së Drejtësisë mbi trajtimin e informacioneve sekrete nga ana e ish-presidentit. Nga hetimi nuk dolën prova për ngritjen e akuzave, por u tha se Biden kishte "kujtesë të dobët".

Presidenti e arsyetoi këtë veprim si vazhdimin e një precedenti të vendosur nga Biden në vitin 2021, kur ai vendosi t'i ndalonte atij qasjen në informacionet për sigurinë kombëtare. Trump tha se Biden ishte presidenti i parë që veproi kështu ndaj një paraardhësi.

Kritikët e Trump e cilësojnë këtë veprim si një hakmarrje, pasi ai filloi të anulonte qasjen në informacionet sekrete disa individëve të rëndësishëm të lidhur me administratën Biden. 

Këtu përfshihet komandanti ushtarak Mark Milley, për të cilin Trump urdhëroi hetim lidhur me sjelljen dhe gradën e tij.

Po ashtu, Trump anuloi mbrojtjen për Anthony Fauci, ish-drejtorin e shërbimit shëndetësor amerikan, dhe për ish-sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, si dhe ish-këshilltarin për sigurinë kombëtare, John Bolton.

Në përpjekje për të kontrolluar edhe shërbimet e inteligjencës, Trump po ashtu i ka hequr qasjen në informacionet sekrete dhjetëra ish-drejtorëve të agjencive të inteligjencës.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/