RTSH 24 Live

Aktualitet

Tritoli në banesën e Ilir Koçiljës në Durrës, autori i dënuar më parë. U largua jashtë vendit një ditë pas ngjarjes

03/03/2024

Tritoli në banesën e Ilir Koçiljës në Durrës, autori i dënuar më parë. U largua jashtë vendit një ditë pas ngjarjes

Është zbardhur dinamika e ngjarjes dhe autori i vendosjes së tritolit në banesën e Ilir Koçiljës në Durrës, i cili ndodhet në burg për vrasjen e fqinjit të tij. Sipas policisë autori “F. Ll. Ka qenë i dënuar më parë për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në Durrës dhe se është larguar jashtë vendit një ditë pas ngjarjes”.

Nga hetimi i kamerave të sigurisë në zonë, autori pasi vendosi tritolin në murin e jashtëm të banesës së Koçiljës, është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të marrë me qira, drejt lagjes nr. 6. Një ditë më pas ai është larguar nga Shqipëria.

Policia ka shpallur në kërkim autorin dhe vijon puna për kapjen e tij.

Ngjarja ndodhi më 26 shkurt ku për policinë ka qenë një mesazh që i është dhënë Koçiljës pasi ky i fundit pak ditë më parë kishte vrarë fqinjin e tij. Koçilja qëlloi me thikë duke lënë të vdekur në vend fqinjin 46-vjeçar Halil Koka për shkak të sherri të momentit për një vend parkimi.

Nga shpërthimi i tritolit u shkaktuan vetëm dëme materiale, ku është shembur një pjesë e murit të dritares, kangjella prej hekuri si dhe është dëmtuar edhe një makinë që ishte e parkuar pranë banesës së Koçiljës.

/rtsh.al/