RTSH 24 Live

Aktualitet

Hapi portal për të denigruar drejtuesit e policisë, vetëdorëzohet në Polici ish-zyrtari i AMP-së

28/06/2024

Hapi portal për të denigruar drejtuesit e policisë, vetëdorëzohet në Polici ish-zyrtari i AMP-së

Është vetëdorëzuar në Polici, ish-zyrtari i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Kushtrim Selimi. Ky i fundit akuzohet për gjobvënie ndaj zyrtarëve të lartë të policisë dhe biznesmenëve të ndryshëm dhe pritet të merret në pyetje nga Krimi Kibernetik në lidhje me akuzat.

Më 30 maj, Selimi u shpall në kërkim, ndërsa u arrestua një gazetar dhe një punonjëse e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës pasi u akuzuan se krijonin të dhëna të rreme për denigrimin e titullarëve.

Selimi, së bashku me gazetarin dhe ish-punonjësen e AMP-së, “ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti”.

Gazetari dhe punonjësja e AMP-së u lanë nga Gjykata e Tiranës “detyrim paraqitje” tre ditë pas arrestit.

/rtsh.al/