RTSH 24 Live

Politikë

Kryebashkiakja e Përmetit: Investojmë në zonat rurale, në 2024 presim mbi 120 mijë turistë

28/06/2024

Kryebashkiakja e Përmetit: Investojmë në zonat rurale, në 2024 presim mbi 120 mijë turistë

Kryebashkiakja e Përmetit, Alma Hoxha në një intervistë për “Mirëmëngjesi Shqipëri” u shpreh se zgjedhja e saj në krye të bashkisë nuk ka qenë rastësi.

Ajo deklaroi se gjithnjë e ka parë veten si Kryetare Bashkie ndërsa theksoi se rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë.

Nuk ka qenë rastësi ardhja në krye të bashkisë. Kam pasur karrierë politike të gjatë. Jam angazhuar në PS që në ’94 dhe bëj 30 vite angazhim.

Gjithnjë e kisha parë veten time kryetare. Nuk ka qenë një rrugë e lehtë. Është ndryshe të jesh në ekzekutiv dhe ndryshe në legjislativ. Të duhet të votosh apo mbështesësh vendimet e një kryetari dhe ndryshe sot që duhet të shpiesh projektvendimet te këshilltarët”, u shpreh ajo.

Hoxha u shpreh më tej se një mandate në krye të bashkisë nuk është mjaftueshëm për të përfunduar projektet për qytetin dhe qytetarët.

E kisha si refren në vesh: ti puno sa të duash, përmetarët nuk të zgjedhin dy herë. Kisha ndërmarrë një angazhim qytetar, dhe çdo moment është vrap për të përmbushur angazhimet për të cilat komuniteti të ka besuar. Asnjëherë nuk mjaftojnë 4 vite nëse do të realizosh objektivat që i vë vetes.

Projektet e tua asnjëherë nuk janë 1-vjeçare dhe të duhet koha e duhur për t’i zhvilluar, për t’i hedhur në letër e më pas për t’i implementuar.

Në fund të mandatit të parë, unë kisha projekte që më duhej ti realizoja në nisje të mandatit të dytë.

Momentet e parë, kur kandidon një grua, ka dhe skepticizëm. Këtu kanë qenë kryetar vetëm burra, por nëse punon dhe  dedikohesh plotësisht, ja del.

Përmeti është qytet i menxhueshëm, është bashki e vogël dhe “gjërat të kanë duk””, deklaroi Hoxha.

Kryebashkiakja renditi më tej edhe disa prej prioriteteve e objektivave që i ka vendosur vetes për zhvillimin e qytetit.

Hoxha u shpreh se transformimet që ka pësuar Përmeti janë të dukshme, duke përmendur këtu, infrastrukturën rrugore, vaditëse, mbështetja ndaj bujqësisë, etj,.

“Prioritetet për këtë mandat janë shumë të mëdha.

Transformimet janë të dukshme. Ne kemi prioritete të tjera, do shtrijmë investime dhe në zonat rurale në infrastrukturën rrugore, vaditëse, në mbështetje të bujqësisë, për të vijuar më në brendësi në lagjet e qytetit.  Kemi goxha prioritete e objektiva”, u shpreh më tej Hoxha.

Kjo e fundit shprehu dhe objektivin për rritjen e numrit të turistëve që vizitojë Përmetin. Nëse 2023-shi, tha Hoxha, u mbyll me rreth 120 mijë vizitorë, 2024 pritet të tejkalojë këtë shifër turistësh.

“Përmeti është kthyer në një prej destinacioneve më të vizituara. Banjat e Bënjës një nga destinacionet e dyta më të vizituara në Shqipëri.

Gjatë 2023 arritëm rreth 120 mijë vizitorë në Bashkinë e Përmetit, pritshmëritë për 2024 janë edhe më të mëdha.

Në Përmet mund t’i bësh të gjitha, ka natyrë, histori, turizëm fetar, ka kisha dhe teqe të jashtëzakonshme, ka kulturë, ka ushqime të shijshme”, përfundoi Hoxha.

/rtsh.al/