Shkodra është tronditur mbasditen e sotme nga një atentat me armë zjarri, i cili u mori jetën të paktën tre personave.
Nga informacionet paraprake mësohet se ngjarja ndodhi rreth orës 15:50 në rrethrrotullimin “5 heronjtë e Vigut” në Dobraç, në aksin rrugor Shkodër–Koplik.
Sipas Policisë, drejtuesi dhe pasagjeri i një automjeti tip Benz, në lëvizje, u qëlluan me armë zjarri. Si pasojë e të shtënave, ndërruan jetë shtetasi Hamza Lici dhe shoqëruesi i tij Arlind Bushati.
Ngjarja rezultoi aksidentalisht fatale edhe për një çift kalimtarësh të rastit, burrë e grua, që ishin duke lëvizur aty pranë me një motomjet.
"Automjeti që udhëtonin shtetasit ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B," raportoi Policia.
Shkëmbimet me armë zjarri dyshohet se kishin si objektiv parësor shtetasit në automjetin luksoz. Policia mobilizoi shërbime të shumta dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësinë Shkodër, si dhe dy grupe të Repartit Special “RENEA”, për kapjen e autorëve.
Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, i arrestuar në Turqi si i dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës, ky i fundit i njohur si pjesëtar i grupit të Bajrave në Shkodër. Gjashtë vite më parë, në gusht 2018, u ekzekutua me kallashnikov Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit.
Në mars 2019 u vranë në derë të shtëpisë Brahim dhe Astrit Bajri. Për krimin e dyfishtë u shpall në kërkim Ibrahim Lici, por vetëm në prill të vitit 2021 u hoq nga kërkimi për mungesë provash.
/ rtsh.al /