Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për tragjedinë në qytetin e Koçanit, Maqedoni e Veriut, ku përhapja e zjarrit në një klub natë i mori jetën të paktën 51 personave dhe plagosi shumë të tjerë.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama thekson gatishmërinë për ndihmë ndaj vendit fqinj.
"Me një ndjenjë hidhërimi të veçantë u përcjell vëllezërve e motrave të Maqedonisë së Veriut ngushëllimet e mia për tragjedinë e madhe të Koçanit. Jam pa fjalë dhe lutem që të lënduarit të shërohen dhe që familjarët e viktimave të gjejnë forcën të përballojnë humbjen e tyre të pangushëllueshme. I përcjell po ashtu kryeministrit Mickovski dhe autoriteteve të vendit fqinj ngushëllimet në emër të Shqipërisë e shqiptarëve, duke shprehur gatishmërinë për çfarëdoqoftë ndihma jonë mund të jetë e nevojshme", shkruan Rama.
Begaj: Lutjet e mia dhe të popullit shqiptar shkojnë për të lënduarit
Edhe Presidenti, Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për tragjedinë në Maqedoninë e Veriut, ku humbën jetën 51 qytetarë dhe mbi 100 të tjerë u lënduan.
“I tronditur nga tragjedia e ndodhur, nga humbja e jetëve të reja dhe lëndimi i shumë të tjerëve nga zjarri i rënë në një diskotekë në qytetin Koçan të Maqedonisë së Veriut. Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për familjarët që humbën të afërmit e tyre dhe për të gjithë popullin fqinj të Maqedonisë së Veriut. Lutjet e mia dhe të popullit shqiptar shkojnë për të lënduarit, që të gjejnë shërim të shpejtë e të mos rëndojë më shumë dhimbja në qytetin e Koçanit”, shprehet Begaj.
Spiropali: Forcë e kurajë popullit dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut
Në mesazhin e saj ngushëllues, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali inkurajon popullin dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në këtë ditë të trishtuar.
“Pikëllues lajmi mbi tragjedinë e tmerrshme në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku humbën jetën disa dhjetra vajza e djem. Në këtë të dielë të trishtuar, jam pranë familjeve që humbën njerëzit e tyre të dashur. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë. Forcë e kurajë popullit dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në përballimin e kësaj fatkeqësie të madhe", shpreht në mesazhin e saj, Spiropali.
Një koncert në Maqedoninë e Veriut është ktyher në tragjedi të vërtetë pasi të paktën 51 persona humbën jetën dhe mbi 100 të tjerë u lënduan pasi diskotekta ku ndodheshin afro 1500 persona mori flakë, siç thuhet nga mediat vendase si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike brenda ndërtesës.
/rtsh.al/