Dy ditë pas përplasjes fatale që u mori jetën 179 personave në Korenë e Jugut, hetuesit kanë nisur inspektimin e dy kutive të zeza të avionit Jeju Air, regjistruesin e zërit të kabinës dhe regjistruesin e të dhënave të fluturimit.
Ekipi, i cili përfshin një anëtar nga Administrata Federale e Aviacionit të SHBA, tre ekspertë nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit dhe tre përfaqësues të Boeing, mbërriti në Muan ditën e djeshme (30 dhjetor).
Së bashku me hetuesit lokalë, ata po vlerësojnë rrënojat dhe mbeturinat në vendin e përplasjes, ndërsa kërkojnë komponentë që mund të ofrojnë të dhëna për shkakun e përplasjes.
Hetuesit kanë bërë me dije se pajisjes së dytë (regjistruesit të të dhënave të fluturimit) i mungon një lidhës kritik, gjë që do ta bëjë më të vështirë nxjerrjen e të dhënave. Kjo mund të zgjasë kërkimin e përgjigjeve se pse ky avion u detyrua të ulej pa pajisjen e tij të uljes.
Ndërkaq pista në Aeroportin Ndërkombëtar Muan, ku avioni u rrëzua, do të qëndrojë e mbyllur edhe për një javë, ndërsa ekipet mjeko-ligjore mbledhin më shumë mbetje.
Koreja e Jugut shpalli 7 ditë zie kombëtare deri më 4 janar për 179 personat e vrarë në aksidentin ajror më i rëndë ndonjëherë në tokën e këtij vendi. Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut Choi Sang-mok, i cili mori detyrën vetëm të premten, thirri një mbledhje urgjente të kabinetit dhe më pas vizitoi vendin e përplasjes në Muan.
Avioni me 181 pasagjerë, përfshi edhe 6 anëtarë të ekuipazhit udhëtonte nga Tajlanda në Korenë e Jugut. Të gjithë pasagjerët ishin koreanë, përveç dy tajlandezëve, me i riu një trevjeçar dhe më i vjetri një 78 vjeçar, thanë autoritetet.
/rtsh.al/