RTSH 24 Live

Aktualitet

Tjetërsuan 7.500m2 tokë dhe e shitën 10 mln lekë, prokuroria kërkon burg për ish-kryetarin e Bërxullës dhe 3 të tjerë

15/04/2024

Tjetërsuan 7.500m2 tokë dhe e shitën 10 mln lekë, prokuroria kërkon burg për ish-kryetarin e Bërxullës dhe 3 të tjerë
Ymer Marku

Ish kryetari i Komunës Bërxullë, Ymer Marku, kryeplaku i fshatit Agim Loci, ish punonjësi i Komunës Bërxullë Kujtim Balliu dhe Kujtim Allmeta akuzohen së në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë tjetërsuar një tokë bujqësore me sipërfaqe 7500 m2 përmes falsifikimit të dokumenteve dhe më pas ia shitën një kompanie duke përfituar 10 milionë lekë të reja.

Pas hetimeve Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrest me burg për 4 personat, të cilat akuzohen për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrimi i produkteve të veprës penale .

Sipas Prokurorisë Tiranës ish kryetari i Komunës Bërxullë, Ymer Marku dhe kryeplaku i fshatit Agim Loci tjetërsuan pronën 7.500 metër katror e llojit “Arrë” duke e hedhur në emër të Kujtim Allmetit përmes dokumenteve të falsifikuara. Pas përfitimit të tokës në mënyrë të paligjshme Kujtim Allmeti ia ka situr atë hoqërisë “Alko Impex Construsion” shpk në vlerën 10.000.000 lekë të reja.

“Nga hetimi i regjistruar në 2020 rezultoi se plani i rivelimit për pasurinë me sip 7.500 m2 shkoi në favor të shtetasit Kujtim Allmetit (nënshkruar/firmosur) nga Kryeplaku i Fshatit Bërxullë shtetasi Agim Loci dhe Kryetari i Komunës Ymer Marku, në një kohë kur tokat në kodër Bërxullë kanë qenë toka të Bashkisë Vorë dhe në vitin 1998 kanë kaluar në administrim të ish-Komunës Bërxull”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria e Tiranë ka sekuestruar 7500 m2 tokë, të cilën  Ymer Marku, Agim Loci, Kujtim Balliu dhe Kujtim Allmeta, në bashkëpunim me njëri tjetrin, duke cenuar interesat e shtetit dhe personave të tjerë pretendues, e tjetërsuan për interesat e tyre përfituese.

Si u krye skema e tjetërsimit të pronës?

Sipas prokurorisë “personi nën hetim shtetasi Ymer Marku nga viti viti 2004 - Gusht deri në vitin 2015, ka qënë me detyrë Kryetar i Komunës Bërxull, Tiranë. Me shkresën me nr.1021 prot, dt. 13.07.2005, ai ka dërguar për verifikim në Këshillin e Qarkut Tiranë, dokumentacionin për shtetasit A.A., P.A. dhe Sh.A. Në cilësinë e Kryetarit të Komunës Bërxullë së bashku me kryeplakun e fshatit shtetasin Agim Loci kanë nënshkruar në plan rilevimin për pasuritë e këtyre shtetasve.

Ndërsa me shkresën me nr.576 Prot, datë 12.05.2015 me lëndë “Dërgim dokumentacioni për rregjistrim” është formuluar/konceptuar nga specialisti i Z.M.M.T, shtetasi Kujtim Balliu dhe konfirmuar (firmosur) nga kryetari i Komunës shtetasi Ymer Marku. për të njëjtën pasuri në emër të shtetasit Kujtim Allmeta (ndryshe nga sa kishte vepruar një vit më parë për të njëjtën pasuri).

Personi nën hetim shtetasi Kujtim Balliu i cili nga muaji Korrik 2011- Shtator të vitit 2015, ka qënë me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Komunës Bërxullë, Tiranë ka përpiluar shkresat për dërgimin për regjistrim bashkëlidhur dhe ka dërguar AMTP origjinale pa numër në emër të shtetasit Kujtim Allmeta. për pasurinë me nr.1032 z.k.1167 me sipërfaqe 7.500 m2, pa kryer më parë verifikimin në dokumentacionin që dispozonon zyra e tij. Ndërkohë që shtetasi Kujtim Allmeta nuk mund të pajisej me AMTP pa numër datë 14.1.1996 (e falsifikuar sipas aktit të ekspertimit) pasi ishte pajisur me AMTP me nr.30 datë 06.01.1996, për pasurinë me nr.133/12, me sipërfaqe 5.100 m2 e llojit arë (sa ka qënë edhe norma për frymë).

Personi nën hetim shtetasi Kujtim Allmeta rezulton se pasi ka përvetësuar pasurinë me dokumente të falsifikuara në bashkëpunim me punonjësit e Komunës Bërxullë dhe Kryeplakun e fshatit, ka përfituar edhe të ardhura monetare në vlerën 10.000.000 lekë të rinj, duke konsumuar dhe veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale” e parashikuar nga neni 287 i K.Penal, duke tjetërsuar pasurinë me qëllim mbulimin e orgjinës së saj, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale të falsifikimit të dokumentave.

/rtsh.al/