Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për ish-kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj dhe 5 personave të tjerë të cilët akuzohen për çështjen e tjetërsimit të pronave.
SPAK kërkoi 4 vite burg për Frrokajn, kërkesë e cila nëse miratohet konvertohet në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për 5 personat e tjerë u kërkuan përkatësisht nga 2 vite secili, me heqje të të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite:
Sokol Toma (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Drejtor i Zyrës së Urbanistikës Bashkia Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal kërkohet dënimi me 2 vite…..
Bledar Cara (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, jurist pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme, Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal kërkohet dënimi me 2 vite…..
Gjovalin Marku (me detyrë, në kohën e kryerjes së veprës penale, nënpunës në Bashkinë Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal kërkohet dënimi me 2 vite…..
Juxhina Mema (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, nënpunëse në Bashkinë Lezhë), e akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal kërkohet pezullimi….
Adiona Martini (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, nënpunëse në Bashkinë Lezhë), e akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal kërkohet pezullimi….
Për Memën dhe Martinin që u kërkua dënimi me 2 vjet secilën, SPAK tha që të pezullohen dënimet me kusht për 5 vite.
SPAK kërkoi gjithashtu konfiskimin e 66 mijë m2 tokë në zonën e “Ranës së Hedhun”.
Sipas hetimeve të nisura që nga viti 2019, rezulton se janë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme 66 mijë metra katrore tokë në bregdetin e Lezhës, me vlerë 13 milionë euro. SPAK argumenton se është dokumentuar se në kundërshtim me ligjin janë përvetësuar sipërfaqet e mëdha. Vitin e kaluar gjykata e posaçme vendosi sekuestrimin e këtyre pronave.
Veprimtaria e kundraligjshme ka filluar me përcaktimin e parcelës, e cila është me pronësi shtet, gjetjen e personave të interesuar për t’u pajisur me tokë, falsifikimin e dokumenteve të pronësisë që nga origjina e pronës deri tek çertifikata e pronësisë. Sipas organit të akuzës në këtë veprimtari kriminale, personat përfitues në mënyrë të kundraligjshme të pronave kanë përfshirë edhe persona të tjerë, ndër ta persona të afërt dhe të njohur më ta, duke ja kaluar në mënyrë fiktive pasuritë dhe më pas me qëllim final për t’i kaluar në pronësinë e tyre.
Në përfundim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka vendosur marrjen në cilësinë e të pandehurit 10 persona, disa prej të cilëve vijuan gjykimin me proces të zakonshëm, e disa të tjerë me gjykim të shkurtuar.
Përveç emrave të mësipërm të pandehur u morën edhe: Gjok Ndoka (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Kryetar i Këshillit të Qarkut Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
Nikolin Shtjefni (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme, Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
Sokol Vocaj (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme, Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
Luigj Paloka (me detyrë “topograf” në kohën e kryerjes së veprës penale), i akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal;
dhe Altin Mikaj (përfitues i pronave të tjetërsuara në mënyrë të paligjëshme), i akuzuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë, gërma “c” i Kodit Penal.
/rtsh.al/