RTSH 24 Live

Aktualitet

Drejtoresha e përgjithshme e ASHK, Goxhobelli: 20 mijë familje kanë marrë për herë të parë titullin e pronësisë

30/12/2024

Drejtoresha e përgjithshme e ASHK, Goxhobelli: 20 mijë familje kanë marrë për herë të parë titullin e pronësisë

Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, në mbyllje të vitit 2024, bëri një bilanc të punës së ASHK-së, ndërsa theksoi se “gjatë këtij viti, 20 mijë familje kanë marrë për herë të parë titullin e pronësisë, ndërsa janë ofruar 461 mijë shërbime kadastrale për qytetarët”.

Në një videomesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Goxhobelli theksoi se ky vit që po mbyllet ka pasur jo pak sfida, por edhe shumë arritje. “Së bashku kemi hedhur hapa të rëndësishëm drejt forcimit të transparencës dhe rritjes së besimit në proceset tona. Në emër të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dua t’ju falënderoj për durimin, mirëkuptimin dhe mbështetjen gjatë gjithë këtij viti.

Proceset tona nuk janë të lehta, por janë gjithmonë të orientuara drejt një qëllimi të përbashkët: përmirësimi i shërbimeve dhe mbrojtja e pronës suaj. Për vitin e ardhshëm kemi vetëm një angazhimin: të sigurojmë shërbim cilësor dhe në kohë”, u shpreh Goxhobelli.

Drejtuesja e ASHK-së, e mbylli mesazhin e saj me një urim për të gjithë qytetarët dhe familjet e tyre në prag të natës së ndërrimit të viteve.

“Festat e fundvitit janë një moment për të reflektuar, por edhe një kohë për të qëndruar pranë të dashurve tanë. Uroj që ky vit të jetë plot gëzim, ngrohtësi dhe paqe për çdo familje shqiptare!”

/rtsh.al/