RTSH 24 Live

Kulturë

Titrimi i serialit kosovar “Rrushe”, flet gjuhëtarja: Debat i kotë, një furtunë në gotë

26/05/2023

Titrimi i serialit kosovar “Rrushe”, flet gjuhëtarja: Debat i kotë, një furtunë në gotë

Titrimi në shqipen standarde të serialit kosovar “Rrushe” ka shkaktuar një lumë reagimesh në Kosovë e Shqipëri.

Gjuhëtarja Elsa Skënderi Rakipllari, e ftuar në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu që u transmetua sot në Radio Tirana, u shpreh se seriali është thjesht një justifikim për të ndezur një debat të hershëm që kemi mes njëri-tjetrit.

“Ne vazhdimisht diskutojmë çështjen e gjuhës standarde, raportit që kanë dialektet, a është bërë padrejtësi ndaj gegërishtes krahas toskërishtes kur u zgjodh gjuha standarde. Këtë problem e diskutojmë herë pas here dhe gjejmë shtigje ku ta kanalizojmë. Me aq informacion sa kam nga miq e kolegë që jetojnë në Kosovë, më është thënë që filmi është titruar që kur është prodhuar në Kosovë për ata që nuk dëgjojnë, që të kenë mundësi të lexojnë e të kuptojnë. Gjithë kjo “furtunë në gotë” është e tepërt dhe e panevojshme.”

Për pedagogen dhe zv/dekanen e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, shqetësues është teza që ngrihet se shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë nuk kuptohen mirë. “Çështja për të cilën me vjen keq, si një njeri që ka një vetëdije të shtuar për gjuhën, është teza që ngrihet se ne nuk kuptohemi mirë, pse ju nuk na kuptoni ose pse bëni sikur nuk na kuptoni.

 Kjo kundërvënie është e tmerrshme. Ke dy fshatra që mund të jenë shumë pranë dhe mund të kenë fjalë që nuk kuptohen. Në kohën që ne jetojmë, shqiptarët në gjithë arealin shqipfolës kuptohen më mirë se kurrë. Për arsye të lirisë së lëvizjes kuptohemi shumë më mirë seç jemi kuptuar mes veti në vitet ‘90 apo dhe më përpara. Sot kuptohemi më mirë për shkak të komunikimt masim që kemi, për shkak të këngëve që ia dimë dhe këndojmë njëri-tjetrit. Kemi emisione të caktuara ku ka ndërveprim personazhesh, që flasin secili me varietetin e tyre gjuhësor dhe në një mënyrë apo tjetër publiku mëson. Të thuash që sot nuk kuptohemi më duket e paarsyeshme dhe që çon ujë në një hulli ndasie e pajustifikuar dhe jo reale.”

E pyetur nëse mund të konsiderohet titrim apo kemi të bëjmë me përkthim të të folmes së Kosovës, Elsa Skënderi Rakipllari thotë se titrimi duhet t’i qëndrojë besnik tekstit të folur. “E gjithë praktika jonë në tesktet e botuara është përshtatur dhe sjellë në një shqipe të kuptueshme. Për shembull “Këngët e Milosaos” të De Radës nuk është lënë në arbërisht sepse do të ishte e pakuptueshme. Sot shkrimtarë që u përkasin shekujve në letërsinë botërore, kur sillen për lexuesin, vijnë me një aparat që e ndihmon të kuptuarin ose me një përshtatje në një gjuhë që është më e njohur për audiencën sot.”

Po cili është ndikimi i dialekteve në gjuhën standarde? “Dialektet e pasurojnë gjuhën. Gjuha standarde është një kod, një pjesë shumë më e vogël sesa e gjithë shqipja e madhe që ka pasurinë e dialekteve, nëndialekteve dhe të folmeve. Janë si gurra që e furnizojnë gjuhën me elementë të gjallë.  Është e gabuar ideja që dialektet e dëmtojnë gjuhën.”

/rtsh.al/