Tirana do të mikpresë Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor, një ngjarje e madhe kulturore që do të sjellë në kryeqytetin e Shqipërisë, një bashkim të artit të kërcimit nga e gjithë bota.
Festivali është organizuar nga Qendra për Art dhe Kulturë Harabel, D18 Paris dhe Balkan Youth Link Albania, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Ky është edicioni i dytë i festivalit dhe do të zhvillohet nga 23 shtatori deri më 22 tetor në Tiranë.
Festivali, nën drejtimin artistik të koreografit të mirënjohur, Angelin Preljocaj, synon të pozicionojë Tiranën si një qendër të spikatur për kërcimin bashkëkohor ndërkombëtar, duke krijuar një platformë për kompanitë e njohura të kërcimit dhe balerinët e talentuar.
Përveç shfaqjeve, festivali do të ofrojë edhe seminare, angazhime publike dhe një program paralel me ngjarje arti.
Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor, ky event dinamik dhe i pasur kulturor, do të sjelli në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, shfaqje nga kompani të njohura kërcimi nga e gjithë bota.
Festivali premton një formacion të jashtëzakonshëm koreografish magjepsëse dhe shprehjesh artistike nga kompani të njohura si Balet Preljocaj, La Veronal & Marcus Morau, Blenard Azizaj dhe Fondazione Nazionale de la danza/Aterballetto.
Ky festival do të promovojë diversitetin dhe inovacionin e kërcimit bashkëkohor dhe do të nxisë shkëmbimin kulturor dhe rritjen artistike në rajonin e Ballkanit.
Për studentët dhe kërcimtarët e rinj nga Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, do të ofrohen kurse kërcimi falas që do të drejtohen nga koreografë nga kompanitë partnerë ndërkombëtare.
Gjithashtu, festivali prezanton një program paralel të ngjarjeve të artit, përfshirë ekspozita dhe një punëtori të dedikuar për fëmijë. Ekspozitat do të prezantojnë veprat e artistëve pamorë shqiptarë, ndërsa punëtoria do të inkurajojë fëmijët të eksplorojnë shprehjen e tyre artistike përmes pikturës, punimeve artizanale, ushtrimeve të gjuhës së trupit dhe lojërave interaktive.
Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor në Tiranë është një mundësi e shkëlqyer për të shijuar lëvizjen, kreativitetin dhe frymëzimin, ku bashkohen artistët dhe të apasionuarit e kërcimit nga e gjithë bota në këtë udhëtim të jashtëzakonshëm kulturor.
/ rtsh.al /