Shifrat në rritje të incidenteve online të raportuara gjatë 2024 pranë iSIGURT.al, ALO 116 dhe Policisë së Shtetit treguan se nga 407 raste, 209 prej tyre vinin si nga TikTok.
Të pyetur nga Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), disa prej adoleshentëve thonë se nuk kanë profile të hapura, të tjerë kalojnë kohë në TikTok duke parë materiale të ndryshme.
“ Po e përdorim TikTok. Kur nuk kemi çfarë të bëjmë rrimë tërë ditën. Aty informohemi për gjithçka". “Nuk shoh shumë, nuk kam llogari”., shprehen fëmijët.
Psikologët mendojnë se mbyllja nuk është zgjidhje, sepse kohët e fundit janë gjeneruar edhe forma të tjera të hapjes së adresave.
“Do ta ndajë në dy elementë, e para ata që kujdesen për filtrat e rrjeteve sociale që ndoshta janë mekanizma më të gjëra kibernetikë të cilat kontrollojnë apo frenojnë materiale të cilat mund të jenë të dëmshme. Për shkak edhe të dinamikave që përfshihen adoleshentët, jo gjithmonë e arrijnë të kontrollojnë këtë sjellje që shpeshherë kemi parë që të ketë qenë shumë fatale për grupe të caktuara apo individ të caktuar. Duke ftuar në këtë diskutim edhe aktorë të tjerë, jo vetëm familjen, shkollën apo vetë individin apo adoleshenti, por të mund të shtrihet pjesa e psiko-edukimit se si mund t’i përdorim rrjetet sociale.
Edhe nga ekspertët e kompjuterit apo dhe vetë adoleshentët kanë gjeneruar ide dhe fakte që mund të hapen përsëri profile duke dhënë një adresë tjetër vendndodhje”, shprehet psikologia Elona Mustafaraj.
Një tjetër shqetësim që ngrenë psikologët është edhe ekspozimi nga vetë prindërit i fëmijëve në rrjete sociale.
“Pjesa e parë e ekspozimit të fëmijëve vjen nëpërmjet prindërve që i ekspozojnë në rrjete sociale dhe nëpërmjet shkollën apo institucioneve të tjera që publikojnë fotot e aktiviteteve ku fëmijët janë prezent, shpeshherë pa mbuluar fytyrat e tyre. Fëmija bëhet lehtësisht i evidentueshëm, gjendet shumë kollaj për një abuzues të fëmijëve, apo një person që mund të ketë problematika të sjelljes kundrejt fëmijëve”, shton ajo.
Sipas të dhënave adoleshentët zënë numrin më të madh të rasteve të denoncuara, ndërsa klasifikimi i incidenteve tregon se përndjekja, kërcënimet dhe shantazhet përbëjnë rrezikun kryesor për fëmijët.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/