Rastet e fëmijëve me meningjit kanë bërë që shumë prindër të kërkojnë informacion rreth sëmundjes.
Edhe pse fluksi i fëmijëve që paraqiten me virozë në qendrën shëndetësore nr. 9 mbetet i njëjtë, me rreth 45 vizita në ditë, nuk ka pasur raste të dyshuara me meningjit.
Mjekja pediatre, Adriana Ilia, rekomandon që vaksina të bëhet për fashën e riskuar. Ajo thekson se nga ana e prindërve është rritur interesi për informacion, por nga ana tjetër ata frenohen nga çmimi i vaksinës.
“Kjo periudhë është vërtet periudhë virozash, por nuk kemi epidemi të meningjitit. Vaksina e meningjitit bëhet në dy periudha 0-2 vjeç. Prindërit duhet të shqetësohet për këtë moshë, jo për atë mbi 5 vjeç sepse janë më të mbrojtur. Duhet të shqetësohen ata prindër që kanë fëmijën me sistem imun deficitar. Nëse dëshirojnë mund ta marrin si vaksinë, por janë të kushtueshme. Meningiti shfaqet më shumë në periudhë të virozëve. Sugjeroj vaksinimin nga gripi që të mos ketë mbivendosje të infeksioneve dytësor si edhe e parandalon”, theksoi Adriana Ilia, mjeke pediatre në Qendrën Shëndetësore nr. 9.
Nga një vëzhgim i bërë në farmaci, situata paraqitet ndryshe.
“Klientët dhe pacientët në farmacinë time nuk kanë pasur interes për bërjen e kësaj vaksine. As unë dhe as depot që bashkëpunoj nuk e kanë këtë vaksinë”, tha farmacistja Ema Zaimi.
Mjekët thonë se është shumë e rëndësishme të jemi vigjilentë për simptomat e sëmundjes së meningokokut, siç janë temperatura e lartë, shtimi i të vjellave, fobia nga drita, si dhe vështirësia në lëvizjen e qafës.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/