RTSH 24 Live

Kosovë

Thaçi kërkon kohë për aktakuzën, ish-presidenti refuzon komentet, procesi ndaj tij vazhdon në Dhomat e Specializuara

08/12/2024

Thaçi kërkon kohë për aktakuzën, ish-presidenti refuzon komentet, procesi ndaj tij vazhdon në Dhomat e Specializuara

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se nuk do të komentojë akuzat e reja për ndikim mbi dëshmitarët, pasi nuk ka pasur kohë ta lexojë të gjithë aktakuzën.

"Krejt papritmas para 2-3 ditësh u njoftova për akuzën e re nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Por, unë nuk jam pjesë e garës elektorale, unë nuk paraqes rrezik për askënd. Prandaj, kërkoj edhe sot unë respektoj dhe besoj në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës nga të gjithë, kudo që jeni ulur, në cilëndo anë apo në çdo uniformë që jeni në këtë sallë të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës", tha ai gjatë paraqitjes së parë për rastin e ri në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku më pas u vendos që vetë deklarimin të bëhet më 7 janar 2025. 

Aktakuza e re i ngarkon Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë për ndikim ndaj dëshmitarëve në procesin kundër tij në Hagë. Sipas aktakuzës, Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij u përpoqën të ndikojnë në dëshmitarët për të penguar vendosjen e drejtësisë.

Akuzat përfshijnë tentativën për pengim të detyrave zyrtare dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Në këtë rast, Thaçi dhe të tjerët akuzohen gjithashtu për mosbindje ndaj gjykatës. Gjykata Speciale e Kosovës, që heton krime lufte të kryera nga UÇK-ja, po zhvillon procesin ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, duke u fokusuar te veprimet e mundshme për ndikim ndaj dëshmitarëve.

/RTSH/