Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka mbështetur idenë e paraqitur nga kryeministri Edi Rama për një konferencë ndërkombëtare për të diskutuar tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit në veri të Kosovës.
Duke folur për mediat para nisjes së samitit të ditës së sotme në Bruksel, Michel tha se konferenca ndërkombëtare do të ishte produktive për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës.
“Ne mbështesim përpjekjet e NATO-s dhe Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Borrell.
Dua të them që ne mbështesim idenë sa më shpejt të jetë e mundur të një konference ndërkombëtare, ku vendet aktive të Bashkimit Evropian të mbështesin përpjekjet, në bashkëpunim me SHBA-të, pasi në muajt e fundit ne kemi parë disa vështirësi për të çtensionuar situatën.
Kështu që unë mendoj se ka ardhur koha për një qasje globale, ka ardhur koha për të ndërmarrë hapa të qartë në drejtim të normalizimit të raporteve”, u shpreh Michel para nisjes së samitit të Bashkimit Evropian, ku gjatë darkës së punës do të trajtohet edhe Ballkani Perëndimor, ku tema kryesore do të jetë kriza mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fund të samitit, që do mbahet sot dhe ditën e nesërme, 27 liderët e BE-së do të miratojnë përfundimin me anë të së cilave do të dënohen incidentet në veri dhe do të kërkohen hapat drejt çtensionimit të situatës.
“Këshilli Evropian i dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian, më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushte për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të ketë pasoja negative”, thuhet në draftin që pritet t’i bashkohet përfundimeve të samitit të sotëm dhe të nesërm.
/rtsh.al/