Vijon me tensione seanca plenare. Ndërsa Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu ka mbajtur fjalën për buxhetin e 2025-ës për arsimin, deputetët opozitarë i bënin thirrje për dorëheqje.
Deputetja Ina Zhupa dhe kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi tentuan të mos lejonin ministren të mbaronte fjalën e saj, ndërsa përsërisnin thirrjen për dorëheqjen e ministres Manastirliu. Thirrja e opozitës për dorëheqjen e ministres vjen pas tragjedisë së 18 nëntorit, ku pak metra larg shkollës “Fan Noli” u vra 14-vjeçari Martin Cani.
Nga ana e saj, Ministrja Manastirliu akuzoi opozitën se gjatë kohës që qeveriste Partia Demokratike, arsimi ishte "shkretëtirë", shkollat në gjendje të amortizuar dhe buxheti "në pikën më të zezë që ka qenë ndonjëherë".
“Ajo që gjetëm në arsim ishte një shkretëtirë. Shkollat në gjendje të amortizuar. Buxheti në pikën ,më të zezë, nuk jepeshin dot pagat për punonjësit, jo më të mendoje për rritje pagash për mësuesit. Mësuesit u lanë në harresë nga ju. Arsimi, është prioritet absolut për ne”, tha Manastirliu.
/rtsh.al/